RTSH Sport Live

Anglia, të gjithë si Gaskonj nëse fitojnë trofeun

  • 22/06/2021
  • |
  • Futboll Bota
Anglia, të gjithë si Gaskonj nëse fitojnë trofeun
Foden bën premtimin e veçantë nëse “Tre Luanët” rikthejnë një trofe në ishull

Edhe Phil Foden i bashkohet rrymës dhe bën një premtim të veçantë nëse Anglia do të fitojë Europianin. Sulmuesi i Manchester City, i cili u shfaq me një look të veçantë në dy ndeshjet e para, ka premtuar se nëse Anglia do ta rikthejë futbollin në shtëpi ashtu siç shpreson i gjithë ishulli që prej më shumë se gjysmë shekulli, e gjithë skuadra do të kopjojë stilin e tij të flokëve bazuar në precedentin Paul Gascoigne.

Në moshën 25-vjeçare, ish mesfushori i tre Luanëve, pas golit që shënoi në Euro 1996 ndaj Skocisë, vendosi të ndiqte një trend ndryshe nga shokët e tjerë të skuadrës. Ishte pikërisht numri 8 që frymëzoi Foden, përtej faktit që Gascoigne është një idhull për të dhe breza të tërë lojtarësh në Britaninë e Madhe. Anglia nuk arrin të fitojë një trofe të rëndësishëm që prej 55 vitesh dhe dalëngadalë presioni i tifozëve po rritet.

Skuadra e Southgate nuk ka bindur ende në këtë europian por Foden është i sigurt se skuadra e ka talentin dhe fuqitë për t’i shikuar deri në fund kompeticionit. Këtë mesa duket e mendojnë edhe lojtarët e tjerë të skuadrës ishullore. “U kam thënë shokëve se nëse fitojmë duhet të presim flokët si Gaza. Shpresoj që të fitoj edhe për këtë arsye. Do të ishte shumë dëfryese për të gjithë ne dhe tifozët që na mbështesin”, theksoi Foden që gjatë kohëve të fundit është vënë në qendër të kritikave për shkak të paraqitjeve nën ton gjatë këtij Europiani.