RTSH Sport Live

Anis Mehmeti, kontratë 3-vjeçare në Angli

  • 01/12/2021
  • |
  • Kombëtarja
Anis Mehmeti, kontratë 3-vjeçare në Angli
Talenti 20-vjeçar i Shpresave të Shqipërisë nënshkruan me Uikomb Uondërërs

Lojtarët shqiptarë që po spikatin në futbollin angleze nuk janë të paktë dhe i fundit që i është shtuar listë së tyre është Anis Mehmeti. Lojtari i Shpresave të Shqipërisë ka arritur të bëjë për vete drejtuesit e skuadrës së Uikomb Uondërërs, të cilët kanë rënë dakord dhe kanë firmosur një kontratë 3-vjeçare. Skuadra ku do të aktivizohet Mehmeti militon në nivelin e 3-të të kampionatit anglez të futbollit, që njihet si Liga 1, dhe qëllimi kryesor i tyre këtë sezon është ngjitja një nivel më lart, në atë që njihet si “Çempionship” dhe që është shkalla e fundit para Premier Ligës.

Dhe për këtë projekt shqiptari është parë shumë i rëndësishëm. Mesfushori i përfaqësueses së Shpresave të Shqipërisë ka nënshkruar të mërkurën një marrëveshje që e lidh deri në vitin 2024 me klubin në fjalë. “Jam i lumtur që hodhëm këtë firmë pasi ishte një rrugëtim i gjatë. Jam këtu që të qëndroj dhe dua të kthehemi përsëri në “Çempionship”, ishin fjalët e Mehmetit pas firmës në intervistën që dha për faqen e klubit pas firmës së kontratës.

20-vjeçari ka lindur në Londër dhe e ka nisur me të rinjtë e Totenhemit, duke kaluar në 2017-tën tek Nën-18-vjeçarët e Noruiç Sitit, ndërsa në 2019-ën u zhvendos tek Uudford Taun, për të firmosur tanimë për Uikomb Uondërërs. Mesfushori me tipare sulmuese ka luajtur 3 ndeshje, dy zyrtare dhe një miqësore me Kombëtaren kuqezi të Nën-21-vjeçarëve, duke shënuar edhe një gol në fitoren 3-0 gjatë këtij viti ndaj Andorrës.