Wta, Shoqata që bashkon të gjitha lojtaret e tenisit në botë, ka njoftuar se ka anuluar të gjitha turnetë që do të zhvilloheshin në Kinë dhe Hong Kong, për shkak të situatës së paqartë lidhur me tenisten Peng Shuai (Pan Shuai), të zhdukur prej disa javësh, pasi akuzoi ish-zëvendëspresidentin kinez, Zhang Gaoli (Xhon Xheili), për ngacmime seksuale. “Për të mbrojtur jo vetëm Peng (Pan) por edhe tenistet e tjera, duhet që të gjithë të flasin lirisht – tha Steve Simon, Drejtori i përgjithshëm i WTA. – Organizata jonë do të bëjë gjithçka për të mbrojtur lojtaret e veta. Shpresoj që liderët në të gjithë botën të flasin në mënyrë që Peng (Pan) dhe të gjitha femrat të fitojnë drejtësinë”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kinës në kundërpëgjigje të vendimit të Shoqatës Botërore të Tenisit të Femrave. "Ne jemi kundër akteve që politizojnë sportin," tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme Wang Wenbin (Uan Uen Bi) në një koment të shkurtër për gazetarët kur u pyet për bojkotin e WTA. Në mbështetje të këtij vendimi për të mos zhvilluar turnetë e saj në Kinë derisa të kryhet një hetim i drejtë dhe transparent për rastin Peng Shuai (Pan Shuai), ka dalë edhe Novak Djokovic.
"Unë e mbështes plotësisht vendimin e WTA-së sepse ne nuk kemi informacione të mjaftueshme për (Pan Shuai), mirëqenien dhe shëndetin e saj, dhe komuniteti i tenisit po bën çmos për ta gjetur atë. Askush, qoftë meshkuj apo femra, nuk e meriton që diçka e tillë t'i ndodhë asaj" – tha Djokvic. Tenisti numër 1 në botë gjithashtu bën thirrje për më shumë bashkim në të gjitha nivelet e tenisit kur merret me raste të tilla si Peng Shuai (Pan Shuai).