RTSH Sport Live

Arbi Laçi: Liga Profesioniste, si një foshnje e ardhur në jetë

  • 11/01/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Arbi Laçi: Liga Profesioniste, si një foshnje e ardhur në jetë
“Ka një seli dhe ka nisur të krijojë një amendament bashkëpunimi, jo vetëm me FSHF-në por dhe me institucionet e tjera që do të kenë lidhje me strukturimin e garës”

Arbi Laçi, shefi i garave në Ligën Profesioniste, në një lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive” në Radio Tirana e ka cilësuar institucionin që ai drejton si një fëmijë të porsalindur. Nuk ka munguar dhe një koment për Tiranën dhe për Kategorinë Superiore në tërësi.

Si ka nisur ky vit për ty dhe Ligën e futbollit shqiptar?

“Një vit i mbrapsht, këtu kam parasysh atë që lamë pas dhe vitin që po na ndjek, po jetojmë një periudhë të paqartë, larg rikthimit në normalitet. Jo vetëm për kalendarin, por dhe për mungesën e tifozëve në shkallët e stadiumit, duke na bërë të jetojmë një situatë krejt të ndryshme. Duhet të numrojmë ditët deri sa të përfundojë procesi i vaksinimit, urojmë që të jetë sa më i shpejt dhe të na prekë dhe neve që jetojmë dhe merremi me futboll”.

Po për kampionatin cili është opinion juaj dhe cilat janë risitë, nëse shikoni të tilla, përveç Vllaznisë, që ndoshta nuk pritej të ecte kaq shumë?

“Po shikoj një kampionat mjaft interesant, Vllaznia e ka bërë të bukur. Nëse nuk do të ishin kuqeblutë, besoj se nuk do të ishte kaq i bukur, sepse skuadrat që e ndjekin, një pjesë e tyre kanë qënë në kërkim të identitetit. Këtu kam parasysh Kukësin, Partizanin, që ka nisur kampionatin me një problematik të mbartur dhe për pasoj ka qënë i limituar në objektiva. Megjithatë, kanë bërë me të vërtetë mirë, pavarësisht handikapit në cilësinë e skuadrës, në bllokimin për të bërë merkato. Shikoj Tiranën në kërkim të vetes, nuk më ngjan me atë të sezonit të kaluar. Është një projekt i ri, një skuadër ndryshe, pak ka mbetur nga ajo e titullit kampion. Që në fillim kam menduar Laçin dhe Teutën si skuadra që do rivalizojnë për titull. Kurbinasit i shikoj si kandidatët numër një për të vënë Vllazninë nën presion, që të gabojë”.

Të mbetemi tek Tirana, ku keni dhënë një kontribut të madh, teksa bardheblutë u shpallën kampionë. Pse kjo situatë te zonja e vjetër e futbollit?

“Shumë gjëra ndryshuan, që pas kualifikimit në Gjeorgji. Për të mos u bërë pjesë, apo pengesë e disa gjërave që nuk përkonin me atë se si i shikoja unë, mu desh të largohesha. Më pas largimi im, vijoi dhe me largimin e trajnerit Egbo apo dhe pjesës tjetër të stafit teknik apo dhe pjestarëve të klubit. Gjërat kanë ndryshuar, është një politik ndryshe. Kanë një trajner të ri, një projekt të ri, nuk kanë entuziazmin e vitit të kaluar. Kanë nevojë të përforcohen, po bëjnë gjëra të mira. Unë nuk dua të jem as paragjykues dhe as skeptik. Kanë bërë një lëvizje të mirë siç është Taulant Seferi, por kanë një skuadër tjetër tani, luajnë një futboll ndryshe”.

Gaboi Partizani, në të njëjtën mënyrë gabon edhe Tirana. A nuk mund të mësojmë nga gabimet e njëri-tjetrit?

“Pavarësisht se kanë specifika të ndryshme, formula e prishjes së një gjëje që funksionon është e njëjtë. Nuk di ta them, ndoshta është genetike, jo vetëm për Partizanin e Tiranë, por e shqiptarëve. Nuk na pëlqen kur jemi mirë, e prishim ndoshta për të pretenduar një formulë tjetër e për të thënë unë e bëra. Personalisht mendoj që kjo është e gabuar, sepse jo vetëm Partizani por edhe Tirana kishin mundësitë për të nisur një cikël fitues, ashtu siç bëri Skënderbeu”.

Bojkoti i bërë në fillim të kampionatit, ia vlejti, sepse jemi në vend të fundit përsa i përket numrit të ndeshjeve të luajtura?

“Konstatimi që bëhet tani është i drejtë, por edhe është parashikuar më parë. Unë jam me parimin që diçka duhet ta kërkosh që ta marrësh. Bojkoti duhet komplimentuar sepse i dha jetë një forumi, një tavoline të përbashkët me 10 presidentë, të cilët duhet të ishin ulur më heret, jo vetëm për bojkotin por për gjëra shumë herë më të rëndësishme. Ata janë qeveria e Kategorisë Superiore, ata duhet të përcaktojnë politikat e tyre. Bojkoti krijoi këtë forum, që i dha zë 10 klubeve, më pas solli dhe kërkesat që në perceptimin tim janë bazike për të sotmen dhe për të ardhmen”.

Sa funksionale është Liga, tani që e preke nga afër, duke marrë një rol të rëndësishëm aty?

“Tani që po flasim, do e krahasoj me një foshnje të ardhur në jetë, që ka krijuar një qeveri të vetën, e cila përfaqëson dhjetë klubet e Kategorisë Superiore. Ka një seli dhe ka nisur të krijojë një amendament bashkëpunimi, jo vetëm me FSHF-në por dhe me institucionet e tjera që do të kenë lidhje me strukturimin e garës. Ka problematika që duhen punuar, ka rregullore që duhen përmirësuar. Besoj se është në fillimet e saj dhe kauza e përmirësimit të futbollit apo dhe konfrontimi me qeverinë, nëse mund të themi kështu, për të mirat e sotme dhe të së ardhmes, besoj se ndikojnë dhe në ndërtimin e këtij institucioni, që normalisht duhet të bëjë atë që bëjnë të gjitha Ligat në Europë. Kategoria Superiore duhet të ketë një qeveri autonome, gjithmonë në bashkëpunim me FSHF-në, sepse qëllimi është i njëjtë. Por duhet më tepër vullnet nga presidentët, sepse në shumë raste refuzojnë të bëhen pjesë në përmirësimin e shumë gjërave. Më pas bëhen pjesë aktive vetëm në momentet e ngjashme me atë të bojkotit”.