RTSH Sport Live

Armando Broja dhe shija e humbur e golit

  • 29/04/2022
  • |
  • Kombëtarja
Armando Broja dhe shija e humbur e golit
Futbollisti kuqezi ka që nga 9 shkurti që nuk shënon për Sauthemptonin në Premier Ligë

Një sezon që kishte nisur në mënyrë të shkëlqyer, si me Kombëtaren kuqezi, ashtu edhe me Sauthemptonin, aty ku është huazuar nga klubi mëmë, ai i Çellsit, kanë bërë që Armando Broja të shihet si premtimi i madh i futbollit shqiptar. Madje mediat kishin nxituar ta projektonin atë si një nga kandidatët potencialë për të zgjidhur krizën e shënimit të golave tek blutë londinezë, të paktën për sezonin e ardhshëm. Dhe, në fakt, statistikat u jepnin të drejtë mediave, teksa 20-vjeçari kishte realizuar 6 gola deri në 10-ditëshin e parë të shkurtit të këtij viti, çka e bënte atë shënuesin e 3-të më të mirë të skuadrës së njohur me nofkën “Shenjtorët”, ndërkohë që kishte realizuar edhe dy herë në Kupën e Ligës Angleze, por edhe 3 herë me fanellën e përfaqësueses kuqezi, 3 gola që kishin vlejtur fitoren dhe kishin ndezur shpresat e Shqipërisë në grupin e Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”.

Por ai që ishte shpërfaqur si një premtim i madh, është fashitur shpejt, sepse, përtej përpjekjeve të tij, sulmuesi kuqezi nuk e gjen golin në Premier Ligën Angleze që nga 9 shkurti i këtij viti, në atë fitore 3-2 në fushën e Totenhemit, ku Broja realizoi të parin e skuadrës së tij. Ai e ka gjetur rrugën e rrjetës vetëm një herë që nga ajo kohë, por goli erdhi atë fitore 3-1 në Kupën e Anglisë (FA Cup), më 2 mars 2022, ku shqiptari shënoi të 3-tin për skuadrën e tij. Që nga ajo kohë, vetëm disa përpjekje për të shënuar apo për të shërbyer për shokët e skuadrës dhe asgjë tjetër.

Golat kanë shteruar edhe në frontin kuqezi, aty ku përtej atij shpërthimi të bujshëm me dy golat e dy fitoreve minimale me Hungarinë, si në Tiranë, ashtu edhe në Budapest, dhe me një gol në fitoren 5-0 ndaj San Marinos, Broja e ka harruar paskëtaj shijen e tundjes së rrjetës së portave kundërshtare. Polonia, Spanja dhe Armenia shënojnë shifrën 0 të golave të realizuar nga Armando Broja me fanellën kuqezi, përtej shkëndijave të shpërthimit në lojën e tij, por që nuk ndezën dot zjarrin e golave.

 Në Premier Ligë, Sauthemptoni i të riut shqiptar ka edhe 4 ndeshje për të luajtur, që paraqesin një mundësi për Brojën për t’u ritakuar me golin, një ritakim që padyshim është i nevojshëm për të, teksa merkato e verës po afron.