RTSH Sport Live

Armando Broja, edhe Njukasëll e synon

  • 16/05/2022
  • |
  • Angli
Armando Broja, edhe Njukasëll e synon
Pas Uest Hemit, edhe një tjetër klub anglez vë në shënjestër futbollistin kuqezi

Zgjatet lista e klubeve që synojnë të bëjnë të vetin futbollistin e Kombëtares kuqezi, Armand Brojës. Së fundmi raportohet se edhe Njukasëll Junajtid ka hyrë në garë për transferimin e 20-vjeçarit që hëpërhë militon në radhët e Sauthemptonit. Por, sipas medias së njohur sportive ndërkombëtare “The Athletic”, krerët e këtij klubi do të nisin bisedimet me Çellsin, që e ka në pronësi Brojën, për të diskutuar mbi kushtet e transferimit të sulmuesit shqiptar. Siç duhet, futbollisti kuqezi është i huazuar tek Sauthemptoni dhe, pas përfundimit të sezonit, pritet të rikthehet tek blutë e Londrës, me të cilët ka nënshkruar një kontratë të vlefshme deri më më 30 qershor 2026.

Uest Hem Junajtid në Premier Ligën Angleze, por edhe Napoli në Serinë A janë klubet që interesohen për 20-vjeçarin shqiptar, ndërsa mbetet ende për t’u parë vendimi që do të marrin pronarët e rinj të Çellsit lidhur me lojtarët e rinj që janë huazuar nëpër ekipet e tjera, brenda apo jashtë Anglisë. Pas javë më parë, ish-sulmuesi i Uest Hem Junajtid, Anton Ferdinand, Armando Broja mund të jetë i duhuri për fazën e sulmit të kësaj skuadre.

Sulmuesi shqiptar ka spikatur këtë sezon në elitën e futbollit anglez me Sauthemptonin, aty ku ka ardhur si i huazuar nga Çellsi. Broja ka shënuar 9 gola këtë sezon në të gjitha veprimtaritë, si dhe ka regjistruar një pasim për gol. Në fakt, një sezon që kishte nisur në mënyrë të shkëlqyer, si me Kombëtaren kuqezi, ashtu edhe me Sauthemptonin, aty ku është huazuar nga klubi mëmë, ai i Çellsit, pati bërë që Armando Broja të shihet si premtimi i madh i futbollit shqiptar.

Madje mediat kishin nxituar ta projektonin atë si një nga kandidatët potencialë për të zgjidhur krizën e shënimit të golave tek blutë londinezë, të paktën për sezonin e ardhshëm. Por Armando Broja nuk po kalon një formë të mirë për momentin, teksa futbollisti kuqezi ka që nga 9 shkurti që nuk shënon për Sauthemptonin në Premier Ligën Angleze. Golat kanë shteruar edhe në frontin kuqezi, aty ku përtej atij shpërthimi të bujshëm në shtator-tetor të vitit të shkuar, gjithçka ka rënë në qetësi.