RTSH Sport Live

Armando Broja, vjen goli i tretë me Sauthempton

  • 04/12/2021
  • |
  • Kombëtarja
Armando Broja, vjen goli i tretë me Sauthempton
Shënon pas një gjysmë ore loje, por skuadra e tij ndalet në një barazim 1-1

Një tjetër aktivizim si titullar, për të 4-ën herë këtë sezon dhe një tjetër gol, i 3-ti për të. Një gol që, sidoqoftë, nuk ka mjaftuar për t’i dhënë skuadrës së tij, Sauthemptonit, fitoren e 4-t në këto 15 javë të para të nivelit më të lartë të kampionatit anglez të futbollit, Premier Ligës. Armando Broja ka treguar edhe një herë klasin e tij, duke gjetur rrugën e rrjetës.

Në minutën e 29-të të ndeshjes së skuadrës vendase kundër Brajton & Houv Albion, ka qenë një largim i dobët i topit nga portieri mik, që është ndërprerë në mesfushë nga lojtarët e Sauthemptonit dhe Redmond ka pasuar zgjuarsisht me kokë për Brojën, i cili e zotëron bukur topin, duke vijuar, me një lëvizje të bukur të nxjerrë jashtë loje fillimisht mbrojtësin dhe, më pas, me një goditje po aq të bukur, edhe portierin kundërshtar dhe duke përshëndetur rrjetën.

Ky ishte goli i 3-të në kampionat për sulmuesin e Kombëtares kuqezi, në 11 ndeshje ku ai është aktivizuar 4 herë si titullar, ndërsa ka hyrë edhe 7 herë të tjera si zëvendësues. 20-vjeçari, i cili golin e festoi duke bërë me duar shqiponjën dykrenare, pësoi një dëmtim në minutën e 79-të, duke vijuar të ndërrohet dy minuta më pas. Por Sauthemptoni nuk e mbrojti fitoren deri në fund, pasi pikërisht në minutën e 8-të shtesë, Brajton & Houv Albion gjeti golin e barazimit dhe tashmë Sauthemptoni është ngjitur në kuotën e 16 pikëve.