Arsenal ka triumfuar në fushën e norvegjezëve të Molde. Milani, pa Ibrahimoviç, vetëm barazim përballë francezëve të Lille. Barazojnë dhe Leicester e Villarreal në transfertat përkatëse.
Grupi A – Young Boys ka marrë një fitore 1-0 në fushën e CSKA Sofia. Goli i kësaj sfide është shënuar në minutën e 32-të me autor, Jean Pierre Nsame. Me këtë fitore, skuadra zvicerane ngjitet në kuotën e 7 pikëve, ndërsa CSKA, në vend të fundit me një pikë.
Grupi B – Arsenal ka bërë detyrën në fushën e Molde, duke marrë një fitore 3-0. Pas një pjese të parë pa gola, Pepe 50’, Nelson 55’ dhe Balogun 83’ kanë zgjidhur gjithçka në fraksionin e dytë në favor të formacionit të drejtuar nga Arteta. Arsenal mban vendin e parë në grup me pikë të plota, 12 pikë. Molde në vend të dytë me 6 pikë.
Grupi G – Leicester nuk ka shkuar më shumë se një barazim 3-3 në fushën e Braga. Vendasit kanë kaluar menjëherë në avantazh me anë të Al Musrati 4’, por anglezët janë përgjigjur me Bames 9’. Paulinho 24’ ka kthyer avantazhin, që ka mjaftuar vetëm për pjesën e parë. Në pjesën e dytë, Luke Thomas 79 ka vendosur barazpeshën 2-2. Në fund të takimit, Fransergio dhe Vardy kanë kompletuar barazimin 3-3. Në sfidën tjetër, Zorya ka surprizuar AEK të Athinës në shtëpi duke fituar me rezultatin 3-0. Golat u shënuan nga Gromov, Kabayev dhe Yurchenko.
Grupi H – Milan nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 në fushën e Lille. Kuqezinjtë kaluan të parët në avantazh me anë të Castillejo 47’, ndërsa për vendasit barazoi Bamba 65’. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Sparta Prague ka marrë një fitore 4-1 përballë Celtic. Miqtë shënuan të parët me anë të Edouard 15’. Por avantazhi i tyre nuk ka zgjatur shumë, sepse vendasit kanë përmbysur gjithçka me golat e Hancko 27’, Julis 38’ e 80’ dhe Plavsic 90’.
Grupi I – Villarreal ka marrë një barazim 1-1 në fushën e Maccabi Tel Aviv. Vetëm dy minuta ka zgjatur avantazhi i spanjollëve pas golit të Baena 45’, vendasit kanë barazuar me Pesic 47’. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Sivasspor ka marrë një fitore 3-2 në transfertë, përballë Qarabag. Dopieta e Arouna Kone dhe goli i Kayode i kanë bërë të pavlefshëm golat e Zoubir dhe Matic.
Grupi J – Antwerp vazhdon të surprizojë, kësaj radhe me fitoren 2-0 të arritur në transfertë përballë LASK. Refaelov 53’ dhe Gerkens 83’ kanë bërë që skuadra belge të ngjitet në kuotën e 9 pikëve.
Grupi K – Dinamo Zagreb ka marrë një fitore 3-0 në fushën e Wolfsberger, duke rrëmbyer dhe vendin e parë në grup. Golat për skuadrën kroate u shënuan nga Majer 60, Petkovic 75’ dhe Ivanusec 90’. Në sfidën tjetër, Feynoord nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në fushën e CSKA të Moskës.
Grupi H – Hoffenheim ka marrë një fitore 2-0 në fushën e Slovan Liberec duke blinduar vendin e parë me pikë të plota, 12 pikë. Golat u shënuan në pjesën e dytë nga Baumgartner 77’ dhe Kramaric 89’. Po 2-0 ka fituar dhe Crvena Zvezda në fushën e Gent, me golat e Petrovic 2’ dhe Milunovic 58’.