Arsenali ka arritur të marrë një fitore 1-0 në shtëpinë e Evertonit. Ishte Leandro Trossard, i ardhur nga pankina në vend të Martinellit, që realizoi golin me vlerën e tri pikëve në minutën e 69-të me asistimin e Saka.
Në fakt, të besuarit e trajnerit Arteta arritën të gjejnë rrugën e rrjetës që në minutën e 20-të me anë të Martinellit, por që u anullua me ndërhyrjen e VAR për një pozicion jashtë loje. Goditje e dyfishtë për brazilianin, i cili pa golin ti anullohet dhe katër minuta më vonë u largua nga fusha i dëmtuar.
Pjesa e dytë solli dhe aksionin e golit, perfekt për nga mënyra e realizimit, me Saka që dhuroi një passim fantastik për belgun Trossard, i cili mposhti Pickford me një goditje të bukur.
Me këtë fitore Arsenali ngjitet në kuotën e 13 pikëve duke u pozicionuar në vendin e katërt, pas City, Totenham dhe Liverpool. Everton mbetet në vendin e tretë nga fundi me vetëm një pikë.