RTSH Sport Live

Atletika shpall kampionët e parë

  • 20/05/2021
  • |
  • Të tjera
Atletika shpall kampionët e parë
Vetëm dy rekorde për moshat 18 dhe 20 vjeç, Burraj, Smajlaj e Gega për pikë për skuadrat

Kampionati i 83-të Kombëtar i Atletikës ka sjellë në “Elbasan Arena” 314 sportistë. Vllaznia, Partizani, Dinamo, Studenti, Tirana, Skënderbeu, Elbasani, Teuta me dy ekipe, Mjeshtëria Sportive Durrës dhe Besëlidhja janë munduar të japin masivitet në garat kombëtare. Madje janë dhe dhjetë ekipe të ardhura nga Kosova, teksa nuk ka munguar dhe gara e veteranëve, të cilët përgatiten për aktivitete madhore.

I pari që ka ngritur siparin e garave për elitën e atletikës ishte Franko Burraj, i cili në 400 metra zuri vendin e parë me 47”76.  Luiza Gega ka dalë e parë në 5000 metra me 15’53”, ndërsa dita e dytë do të jetë për të në 3000 metra.

Gara më e rëndësishme e ditës ishte kërcimi së gjati, atje ku Izmir Smajlaj doli i pari me 7.87 metra. Vetëm katër kërcime për të, teksa arriti 7.84 metra, 7.80 metra dhe 7.77 metra.

Dita e parë e kampionatit dha dy rekorde kombëtare për moshën deri në 18 dhe 20 vjeç. Fillimisht Elisa Myrtollari në 100 metra me kohën 12”29 dhe më pas Redia Dauti në 3000 metra me pengesa me kohën 10’30”20. Kampionati përfundon të premten.