RTSH Sport Live

Atletika shqiptare, tri medalje të arta në San Marino

  • 06/06/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Atletika shqiptare, tri medalje të arta në San Marino
 Burraj, Smajljaj e Relaksa Dauti, “të artë”, Redia Dauti, “e bronztë” në Kampionatin e Vendeve të Vogla

Është zhvilluar në San Marino Kampionati i Atletikës për Vendet e Vogla të Evropës, ku ka marrë pjesë edhe Shqipëria dhe Kosova. Kështu, Franko Burraj ka marrë medalje të artë në garën e 400 m për meshkuj, duke regjistruar kohën 46 sekonda e 90 të qindtat. Ai ka garuar në baterinë e dytë të kësaj disipline, që ishte edhe më e forta, pasi, në renditjen përfundimtare, edhe vendin i dytë dhe ai i 3-të garuan përkrah sportistit shqiptar. Ndonëse nuk pati rekord të ri kombëtar, kjo ishte një tjetër paraqitje e mirë për atletin e ri shkodran, që stërvitet nga trajneri Bruno Rrotani.

Medalje të artë ka marrë edhe një tjetër atlet shkodran, ish-kampioni i Evropës në Salla të Mbyllura, Izmir Smajlaj, i cili ka mbizotëruar në disiplinën e kërcimit të gjati, ndonëse duhet theksuar se niveli i konkurrencës ka lënë për të dëshiruar. 28-vjeçari ka kërcyer 7 m e 76 cm në provën e parë dhe 7.80 në të dytën, ndërsa ka bërë faull në të 3-ën. Por, duke parë se dy ndjekësit e tij më të afërt, armenët Beglarjan dhe Hambardzumjan, kanë mbetur përkatësisht në 7 m e 42 dhe 7 m e 39 cm, shkodrani i ka djegur 3 provat e tjera. Pavarsisht medaljes së artë në këtë garë, Smajlaj, i cili stërvitet nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, mbetet ende larg synimit të tij, të kualifikimit me normë për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

 Ndërkohë, medalje të artë ka marrë për Shqipërinë edhe Relaksa Dauti në garën e 800 m për femra. Duke ndjekur këshillën e trajnerit të saj, Taulant Stërmasi, 20-vjeçarja ka bërë një garë taktike, duke ruajtur energjitë e saj, teska i ka lënë rivalet të udhëheqin garë dhe duke goditur vetëm në fund. Dauti ka mbërritur në finish me kohën 2 minuta, 16 sekonda e 2 të qindtat, 8 të qindtat më shpejt se armenia Alaverdjan dhe Albina Deliu e Kosovës, ndërsa një tjetër atlete e Kosovës, Lirije Peçi, mori vendin e 4-t në këtë disiplinë.

Medalje, por të bronztë, mori edhe Redia Dauti në garën e 3,000 m për femra, duke regjistruar kohën 9 minuta, 53 sekonda e 7 të qindtat, por duhet theksuar se 17-vjeçarja është 10 vite më e vogël sesa fituesja e vendit të parë dhe 14 vite më e vogël sesa fituesja e vendit të dytë. Sa u përket sportistëve të tjerë, Elisa Myrtollari është renditur e 7-ta në garën e 100 m, Iljana Beqiri e 4-ta dhe Livia Topi e 7-ta në garën e 400 m për femra, Erisa Rrasa u rendit e 6-ta dhe Joana Hazisllari e 8-ta në kërcim së gjati për femra. Sa u përket atletëve nga Kosova, ata morën një medalje të argjendtë dhe 3 të bronzta.