RTSH Sport Live

Atletikë: Redia Dauti, nënkampione Ballkani

  • 13/02/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Atletikë: Redia Dauti, nënkampione Ballkani
E dyta në 3000 metra me 9’54”89. Erisa Rrasa zë vendin e nëntë në kërcim së gjati

Redia Dauti është nënkampione e Ballkanit për moshën deri në 20 vjeç në salla të mbyllura. Gjithçka ka ndodhur të shtunën pasdite në Sofje të Bullgarisë, ndërsa Dauti, në 3000 metra, ka fiksuar kohën 9’54”89.

Edhe pse e ka kryesuar në pjesën më të madhe garën në fund është kaluar nga rumunia Madalina Sirbu, e cila ka zënë vendin e parë me 9’45”99, kurse Redia Dauti, vetëm 16 vjeçe, ka mundur të lërë nga pas bullgaren Jasna Petrova, e cila ka pasur kohën 9’56”95.

Shtatlarta Dauti, por me shpresa të mëdha, ndërsa ishte më e vogla e garës së 3000 metrave në të cilën morën 13 sportiste. Për trajnerin Stërmasi, i cili e ka shoqëruar Dautin në Sofje, atletja përgatitet për 3000 metra me pengesa, ndërsa në sezonin e verës në kampionatin e moshës deri 18 vjeç, atje ku dhe ka moshën e saj për të garuar, do të jetë sigurisht në majën e atletikës.

Në këtë kampionat ballkanik ka konkurruar dhe Erisa Rrasa, e cila në kërcim së gjati ka zënë vendin e nëntë me 5.76 centimetra. Sipas Stërmasit garueset janë ndarë me centimetra nga njëra-tjetra, ndërsa gara e Rrasës, përtej dëshirës për medalje, duhet vlerësuar e mirë.

 Tanimë aktiviteti i radhës ndërkombëtar i atletikës shqiptare do të jetë Kampionati Ballkanik i sallave të mbyllura për të rritur në Stamboll, atje ku priten të tjera medalje nga sportistët tanë.