RTSH Sport Live

ATP 500, turneu i radhës në Padel

  • 21/06/2022
  • |
  • Sporte të tjera
ATP 500, turneu i radhës në Padel
Në garë 64 sportistë, madje edhe shqiptarë që jetojnë në Suedi

ATP 500 është turneu i radhës ndërkombëtar që të hënën ka nisur në Padel në kompleksin sportiv në Stërmas të Tiranë. Aktiviteti i katërt që zhvillohet nga Albania Padel Group, ndërsa janë në garë 32 ekipe me 64 lojtarë. Alesandro Palini, administratori i Albania Padel Group, zbulon për RTSH Sport

 “Këtë herë thuajse vijnë nga të gjithë anët e botës. Jo vetëm nga Italia, Spanja, Kosova apo Mali i Zi, por në lojë janë dhe shqiptarë, të cilët jetojnë në Suedi. Një turne shumë interesant dhe ne jemi të kënaqur që Shqipëria po ofron mundësinë për turne botëror”.

Por ndërkohë që Padeli ka shtatë muaj që po lëvrohet si disiplinë sportive në vendin tonë, a janë shqiptarët të gatshëm për të fituar këtë turne?

 “Ne si organizatorë jemi duke parë që shqiptarët janë duke e pëlqyer shumë këtë sport dhe për këtë arsye ne jemi shumë të nderuar. Niveli rritet ditë pas dite dhe ne jemi shumë të kënaqur për ta vazhduar këtë projekt për ta çuar përpara”.

Po kur Shqipëria mund të jetë zyrtarisht në tapetin e arenës ndërkombëtare?

 “Ne jemi në disa kontakte dhe në prag marrëveshje me Federatën Botërore dhe Europiane dhe jemi duke bërë përpjekje për sjelljen në Shqipëri të disa turneve të rëndësishëm në qendrën tonë. Do të bashkëpunojmë me disa profesionistë në muajt e ardhshëm për t’ia dhënë këtë mundësi shqiptarëve”.

E teksa turneu ATP 500 përfundon më 23 qershor, Albania Padel Group tanimë do të ngrejë dhe një kamp veror për fëmijët. Sigurisht nxjerrja e talenteve, por dhe krijimi i një Akademie Padeli janë ndër objektivat kryesore.

 “Që nga 4 korriku ne nisim këtë kamp veror për të gjithë fëmijët e moshës 8-11 vjeç. Do të jenë 8 javë intensive atje ku fëmijët përveç padelit do të mund të bëjnë dhe disiplina të tjera sportive, apo dhe veprimtari argëtuese. Ne duam të gjejmë talente, sepse një sport nis që në vogëli e më pas në shtator të nisim Akademinë për zhvillimin e padelit shqiptar”.