RTSH Sport Live

Autografi i Haaland i kushton shtrenjtë, pezullohet gjyqtari

  • 09/04/2021
  • |
  • Futboll Bota
Autografi i Haaland i kushton shtrenjtë, pezullohet gjyqtari
Është pezulluar asistenti që kishte kërkuar autograf nga Haaland gjatë ndeshjes City-Dortmund

Është pezulluar Octavian Sovre, gjyqtari anësor 47-vjeçar rumun,  i cili në fund të ndeshjes midis Manchester City dhe Borussia Dortmund, e vlefshme për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, shkoi në tunelin e stadiumit për të kërkuar autografin e Erling Haaland. Sovre duhej të ishte pjesë e treshes së arbitrave të ndeshjes midis Universitatea Craiova dhe CFR Cluj por komisioni rumun i gjyqtarëve e zëvendësoi atë me Radu Ghinguleac.

'Gazeta Sporturilor' ka raportuar këtë lajm, duke nënvizuar megjithatë se asistenti zakonisht mbledh nënshkrimet e lojtarëve më të mirë ndërkombëtarë në favor të një qendre për terapinë e të rriturve që vuajnë nga format e rënda të autizmit. Lajmi ishte konfirmuar nga drejtori i shoqatës, SOS Autizmi të Bihor.

Para pezullimit në vendin e tij, Sovre gjithashtu u qortua nga Roberto Rosetti, Presidenti i Komisionit të Gjyqtarëve të Uefa: "Nëse doni të respektoheni sa lojtarët, pse u kërkoni atyre autografe ose fanellën e tyre? Është thjesht e papranueshme, është çështje dinjiteti dhe mos harroni se ka kamera që kapin gjithçka".