RTSH Sport Live

Avni Ponari, kandidati i vetëm për president

  • 27/08/2021
  • |
  • Basketboll
Avni Ponari, kandidati i vetëm për president
Më 4 shtator, koshi shqiptar zgjedh forumet e reja drejtuese për 4-vjeçarin e ri

Avni Ponari do të jetë kandidati i vetëm për president në Federatën Shqiptare të Basketbollit, teksa më 4 shtator, në ambjentet e ish-hotel “Sheraton” në ora 11:00, do të zhvillohet Asambleja Zgjedhore e koshit shqiptar. Të paktën kështu konfirmohet nga vendimi i Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Basketbollit, që është mbledhur më 26 gusht, ndërsa tanimë është miratuar dhe lista e kandidatëve për anëtarë të rinj të këtij forumi.

Dhe ato janë: Edera Alibegaj, Migena Plasa, Bashkim Milo, Edmond Biçoku, Perikli Goga, Juel Jarani, Klevis Kaso, Artur Sako, Dritan Mema, Blendi Dibra, Korab Llazani, Palion Zarka dhe Besmir Iljazi. Të gjitha propozimet kanë ardhur nga shoqatat anëtare të Federatës Shqiptare të Basketbollit, kurse Komiteti Drejtues, teksa mbledhja është bërë me praninë e Edera Alibegajt, Vaso Shakës, Edmond Biçokut, Juel Jaranit ka miratuar që dokumentacioni i paraqitur nga shoqatat për pjesëmarrjen në Asamblenë Zgjedhore do t’i dërgohet studios së Nderit “Sajmir Shatku”, e cila më pas do të bëjë verifikimin origjinal të këtij dokumentacioni, konfirmimin e vërtetësisë, si dhe certifikimin e zgjedhjeve.

Ndërkohë më 30 gusht, në ora 19:00, në ambientet e hotel “Rogner”, Federata Shqiptare e Basketbollit do të bëjë një pritje për ekipet kombëtare të moshave pjesëmarrëse në Kampionatin Europian 2021. Ndaj Komiteti Drejtues ka bërë një miratim të materialit analizë për prezantimin e aktiviteteve basketbollistike dhe financiare, si dhe vlerësimet e planifikuara për mbështetësit e veprimtarisë.

Ajo që është e rëndësishme është fakti se basketbolli do të kryejë procesin zgjedhor për të zyrtarizuar drejtuesit e saj të ri.