RTSH Sport Live

Bajrami bën liderin, gol dhe asist

  • 06/12/2021
  • |
  • Kombëtarja
Bajrami bën liderin, gol dhe asist
Mesfushori kuqezi, protagonist në fitoren 3-1 të Empolit përballë Udineses

Një mbrëmje prej lideri për Nedim Bajramin në Serinë A. Mesfushori kuqezi i Empolit  ishte protagonist në sfidën kundër Udineses, fituar me rezultatin 3-1. Një gol dhe një asist për Bajramin(autor i golit të dytë dhe asist për të tretin). Një sfidë me dy tablo për skuadrën e Empolit, e cila në pjesën e parë lejoi avantazhin e kundërshtarit, ndërsa në të dytën arriti të përmbysë gjithçka.

Golit të Deulofeu 22’(Udinese), iu përgjigj Stojanoviç në minutën e 50-të, duke vendosur barazpeshën në 1-1. Për të zgjidhur situatën ka menduar Bajrami, i cili në minutën e 59-të ka arritur të shënojë golin e avantazhit. Gjithashtu, mesfushori kuqezi asistoi në golin e tretë në minutën e 78-të me autor Pinamonti. Mesfushori u zëvendësua në minutën e 82-të nga Henderson.

Mesfushori kuqezi ka shënuar golin e tretë në këtë sezon të Serisë A. Të gjithë golat i ka shënuar në ndeshjet në shtëpi. Gjithashtu, ky është goli i parë i shënuar në aksion, pasi dy të tjerët i ka shënuar nga pika e penalltisë,  kundër Bolonjës dhe Venecias.