Në fundjavë ngre siparin fillon edicioni i ri i nivelit më të lartë të Kampionatit të Futbollit të Kosovës, Superliga dhe për njohësit e futbollit vlerësojnë se këtë herë nuk do të ketë shumë skuadra në garë për titull, teksa ajo pritet të zhvillohet midis kampiones në fuqi dhe nënkampiones. Natyrisht, skuadra e Prishtinës ka qenë rregullisht midis favoriteve në luftën për titull, por trajnerë të futbollit nuk e shohin atë pretendente për edicionin e ri që nis në fundjavë. Madje si favorite nuk shihet as Gjilani e as Llapi. Sipas specialistëve, garën për titullin “kampion” pritet ta udhëheqin Drita dhe Ballkani dhe, madje, ka shumë mundësi që të zhvillohet vetëm midis këtyre dy skuadrave.
Trajneri Afrim Tovërlani thotë se Ballkani dhe Drita janë në të gjitha aspektet më të qëndrueshme sesa skuadrat tjera të Superligës. “Nga ajo që kam parë deri më sot, mendoj se Ballkani dhe Drita janë favoritët kryesorë”, - ka thënë ai, duke shtuar: “Nëse vitin e kaluar kishim 4-5 skuadra, këtë vit mendoj se këto të dyja janë favorite. Pra për momentin janë dy skuadrat më të qëndrueshme në futbollin tonë në të gjitha aspektet.”
Edicionin e kaluar, Prishtina përjetoi periudhën më të keqe në historinë e klubit, teksa u deklarua borxh prej 1.3 milionë Eurosh, ndërsa u përball edhe me shumë sfida të tjera. Për shkak të borxheve, ka raportime se i është bllokuar nga FIFA edhe mundësia e regjistrimit të lojtarëve. Ndërkohë, pas triumfit në Kupë për dy vjet rresht, trajneri Tahir Batatina ka thënë se radha është që Llapi të luftoj për titull të kampionit. Ndryshe mendon trajneri mitrovicas, Fahredin Duraku.
“Llapi më ka befasuar në Evropë, - ka thënë ai, duke vijuar: “Gjithë ai investim dhe të mos e kalojë turin e parë, për mua ishte e papritur. Kam pritur të paktën t’i kalojë dy ture. Kemi parë një Dritë dhe një Ballkan më serioz në Evropë. Urojmë që Ballkani të kalojë tutje në veprimtaritë kontinentale, por në kampionat i shoh Dritën dhe Ballkanin favorit për titullin “kampion”. Nëse shohim paraqitjen e klubeve të Kosovës në Evropë, kemi parë një Dritë dhe një Ballkan që kanë ecur mirë. Ballkani dhe Drita janë dy skuadrat që po investojnë shumë”, - ka përfunduar Duraku.