Ditën e enjte, duke filluar nga ora 21:00, Ballkani do të luajë në raundin e pestë të grupeve të Conference League përballë Slavias së Pragës, kundërshtar ndaj të cilit në Republikën Çeke zhvilluan një ndeshje pozitive, por u mundën me shifrat 3-2. Në stadiumin “Fadil Vokrri”, ekipi drejtuar nga Ilir Daja do të tentojnë të marrin një fitore, e pse jo për të shpresuar deri në fund kualifikimin për në raundin tjetër.
Në Prishtinë, janë shitur të gjitha biletat. Nëse në ndeshjen e fundit ndaj Sivasspor, nuk ishin të gatshëm Edvin Kuç, Nazmi Gripshi apo Leonit Abazi, këtë herë, Ilir Daja do i ketë këto futbollistë në dispozicion. I vetmi futbollist që mungon është mbrojtësi Rustem Hoxha, që vazhdon të ketë probleme fizike.
Në krahun tjetër, Slavia e Pragës ka një mori mungesash, janë plot tetë futbollistë që mungojnë, një faktor që kampionët e Kosovës do përpiqen ta shfrytëzojnë në maksimum.