RTSH Sport Live

Ballkani i Ilir Dajës, i pandalshëm

  • 18/04/2022
  • |
  • Kosova
Ballkani i Ilir Dajës, i pandalshëm
 Skuadra nga Suhareka korr fitoren e 13-të në 15 ndeshjet nën drejtimin e trajnerit nga Tirana

Ballkani ka korrur një tjetër fitore në javën e 29-të të nivelit më të lartë të futbollit në Kosovë, në Superligë, teksa ka mundur në fushën e vet Prishtinën të dielën, me rezultatin 2-0, dhe ka ruajtur epërsinë prej 8 pikësh në krye të renditjes. Skuadra nga Suhareka fitoi me dy gola të shënuar në pjesën e parë, nga Blend Baftiu në minutën e 34-t dhe Ermal Krasniqi në atë të 39-të. Tanimë skuadra e drejtuar nga trajneri nga Tirana, Ilir Daja, kryeson me 63 pikë, e ndjekur nga Gjilani, me 55 pikë, ndërsa skuadra tjetër e Gjilanit, Drita, ka mbetur në vendin e 3-të, me 3 pikë më pak.

Që nga ardhja e Ilir Dajës në Suharekë, në ditët e para të janarit të këtij viti, Ballkani ka luajtur 15 ndeshje, nga të cilat dy miqësore dhe dy ndeshje në kuadër të Kupës së Kosovës, dhe ka korrur 13 fitore, duke pësuar vetëm dy humbje. Përtej eliminimit në Kupë përballë Prishtinës, humbja 0-2 në fushën e Malishevës më 9 mars 2022 është e vetmja në kampionat për ekipin e Dajës, që marshon kështu drejt titullit “kampion”.

Ndërkaq, sa i përket javës së 29-të, Gjilani ka fituar 5-1 ndaj Feronikelit të vendit të fundit të shtunën, ndërsa Drita u mund minimalisht në fushën e Llapit një ditë më pas. Dy skuadrat e Gjilanit janë të vetmet që kanë mbetur në luftë për të sfiduar Ballkanin, teksa skuadrat e tjera kanë mbetur prapa, me Llapin që mban vendin e 4-t, me 47 pikë, kurse Prishtina e vendit të 5-të është 9 pikë prapa.

Në pjesën e poshtme të renditjes, Prishtina, Malisheva, Drenica e Skënderajt dhe Dukagjini janë në betejë për shmangur vendin e 8-të, që të çon në duelin e mbijetesës, teksa Ulpiana dhe Feronikel duken të dorëzuara sa i përket rënies nga Superliga.