RTSH Sport Live

Ballkani korr një fitore të çmendur në Turqi

  • 06/10/2022
  • |
  • Kosova
Ballkani korr një fitore të çmendur në Turqi
Kryeson 3-1, por Sivaspori barazon 3-3 dhe skuadra e Dajës shënon “in-extremis”

Skuadra e vetme shqiptare që ka mbetur në veprimtaritë kontinentale, Ballkani, ka luajtur të enjten takimin e 3-të të saj në kuadër të grupit G të Ligës së Konferencës, teksa ka qenë mysafire në Turqi, ku është përballur me Sivasporin. Dhe, ndonëse ka pësuar gol që në minutën e parë, skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja, ka përmbysur gjithçka brenda 31 minutave të para, teksa fillimisht ka qenë Thaqi ai që ka barazuar shifrat në të 20-tën. 11 minuta më pas, Potoku do të gjejë rrugën e rrjetës, duke kaluar kështu skuadrën e tij në epërsi dhe me këtë në shifrat 2-1 në favor të Ballkanit do të mbyllen 45 minutat e para.

Ato të dytat do të jenë edhe më dramatike, por edhe më të bollshme në gola, pasi do të shënohen plot 4 të tillë. Kështu, Korenica do të shënojë në minutën e 66-të golin e 3-të të kampiones së Kosovës, që dukej se po i drejtohej një fitoreje historike. Por makthet e barazimit në fund me Klujzhin dhe ato të humbjes me përmbysje me Sllavian e Pragës në dy takimet e para duket se u rikthyen për skuadrën e Dajës, pasi Erdoan Jeshilurt shkurtoi largësinë e golave për turqit në minutën e 75-të, ndërsa vetë ai shërbeu për Jatabaren në minutën e parë shtesë, duke barazuar kështu shifrat për Sivasporin.

Megjithatë, Ballkani ka besuar deri në fund dhe, në minutën e 4-t shtesë, Krasniqi përfiton nga gabimet e mbrojtjes turke dhe gjen golin e 4-t të skuadrës së tij. Dhe, përtej 8 minutave shtesë që u bënë 10 dhe ishin me të vërtetë dramatike, Ballkani ia del këtë radhë ta mbrojë fitoren e parë me shifrat 4-3 dhe ngjitet në kuotën e 4 pikëve, po aq sa ka edhe Sivaspori. Në takimin e radhës, skuadra e Dajës do të presë të enjten e ardhshme, më 13 tetor 2022 Sivasporin, në takimin që do të luhet në Stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.