RTSH Sport Live

Ballkani mundet nga Llapi, dhunë mes tifozërive

  • 12/03/2023
  • |
  • Kosova
Ballkani mundet nga Llapi, dhunë mes tifozërive
Java e 25-të e Superligës së Kosovës, dhunë mes tifozëve, duhej ndërhyrja e policisë

Spektakël, gola dhe… dhunë. Java e 25-të e Superligës së Kosovës ka dhuruar gjithçka. Ballkani ka dorëzuar vendin e parë pas humbjes me Llapin, ndërkohë që tifozëritë janë përplasur mes tyre në përfundim të ndeshjes. Stola të thyer, që kanë përfunduar edhe jashtë stadiumit, tifozët i kanë përdorur për të sulmuar rivalët e tyre. Policia ka ndërhyrë për të qetësuar situatën ku nuk kanë munguar dhe arrestimet.

Siç thuhet në raportin e policisë, tifozëritë janë përplasur mes tyre duke përdorur sende të forta. “Si pasojë e përleshjes deri tani është raportuar se janë lënduar 2 zyrtarë policor, të cilët ishin në detyrë, të angazhuar për menaxhimin e situatës. Ndërsa nga ana e tifozëve, deri tani është raportuar për tre të lënduar. Bazuar në të dhënat fillestare, ngjarja ka filluar në stadium, ku janë shkaktuar dëme materiale, (dëmtim i ulëseve), më pas ka vazhduar në rrugët ‘Besnik Restelica’ dhe ‘Zahir Pajaziti’, ku janë dëmtuar tri vetura dhe një autobus. Pas vënies nën kontrollë të situatës, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisë një hetim për ngjarjen. Hetuesit policor në vazhdimësi janë duke ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të identifikimit dhe procedimit e të gjithë të dyshuarve të përfshirë në këtë ngjarje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Përsa i përket ndeshjes, Llapi ka arritur të fitojë 3-2 përballë Ballkanit në sfidën e zhvilluar në Podujevë. Alidemaj (5′ pen.), Maliqi (71′) dhe Neto (76′) shënuan për Llapin, ndërsa për Ballkanin shënuan Rrahmani (53′) dhe Korenica (63′).

Ka përfituar Drita nga kjo humbje e kampionëve në fuqi të Kosovës, që ka “pushtuar” vendin e parë pas fitores 1-0 në derbin ndaj Gjilanit. Goli i vetëm i kësaj sfide u shënua nga Baftiu në minutën e 43-të.

Në sfidën tjetër të ditës së sotme, Malisheva ka arritur të fitojë 2-1 në transfertë përballë Prishtinës, me golat e Sobowales(8′) dhe Hazrollajt (81′). Goli i vetëm për prishtinasit  u shënua nga Shefiti (83′).