RTSH Sport Live

Ballkani shpërdoron, ndëshkohet nga Sivaspori

  • 13/10/2022
  • |
  • Kosova
Ballkani shpërdoron, ndëshkohet nga Sivaspori
Kryeson 1-0 dhe mbizotëron, por turqit përmbysin gjiçka në fund e fitojnë 2-1

Ballkani ka pritur të enjten në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë skuadrën e Sivasporit, në atë që ishte në fakt takimi i kthimit, që luhej një javë pas atij të parit, ku skuadra e Ilir Dajës korri një fitore dramatike, 4-3, në Turqi. Dhe, ndryshe nga ai takim, në ndeshjen e luajtur në kryeqytet, kampionia e Kosovës ka mbizotëruar në çdo aspekt dhe sidomos në gjysmën e dytë të pjesës së parë, ka synuar portën e turqve. Fillimisht është Korenica ai që provon në minutën e 22-të, ndërsa 8 minuta më pas, Rrahmani ka mundësinë e artë për të shënuar golin e epërsisë, por para portës e dërgon topin mbi shtyllën horizontale.

Në minutën e 34-të, Dellova godet fort, por portieri i skuadrës turke e devijon topin jashtë, duke shpëtuar portën e tij nga pësimi i golit të parë, që sidoqoftë vjen dy minuta më pas, kur kapiteni Thaqi gjen rrjetën me një goditje nga jashtë zonës, duke ndezur  festën në shkallët e stadiumit. Ballkani nuk ndalet dhe në 3 minutat e fundit të pjesës së parë, vjen fillimisht një tentativë e Krasniqit, i cili gjuan, por reagimi instinktiv i portierit mik shmang golin e dytë në këtë sfidë, ndërsa më pas është Jashanica që provon pa sukses nga larg dhe, në fund, Rrahmani hyn në zonë nga e majta, por pasimi i tij në qendër devijohet nga mbrojtësit e skuadrës turke që rrezikojnë autogolin.

Me epërsinë minimale të kampiones së Kosovës do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa edhe e dyta do të shohë skuadrën e Dajës të vazhdojë aty ku e la, duke ndërtuar, por edhe shpërdoruar raste të shumta, por edhe mjaft të volitshme për shënim, siç ishte ai i Krasniqit në minutën e 50-të, ai i Zybës me një goditje nga larg dy minuta më pas dhe ai i Korenicës në minutën e 62-të, por pa e mposhtur dot portierin turk.

Dhe rregulli i pashkruar i futbollit, që të ndëshkon nëse shpërdoron, do të rikthehet ta ndëshkojë skuadrën e trajnerit nga Tirana, pasi Sivaspori do të nisë dalëngadalë të reagojë dhe në minutën e 72-të, Arsllan devijon me një goditje me kokë topin në rrjetën e Frashërit, duke barazuar shifrat. Dhe 9 minuta më pas, pllakos heshtja në stadiumin e Prishtinës, pasi një goditje nga jashtë zonës devijohet nga Angielski, i cili dërgon në rrjetë dhe përmbys rezultatin në 1-2.

9 minutat e mbetura të kohës së rregullt dhe ato 4 shtesë nuk sjellin ndryshim rezultati dhe Ballkani mundet 1-2 nga Sivaspori dhe, teksa e kishte nisur mbrëmjen në vendin e parë të renditjes, kampionia e Kosovës e mbylli atë në vendin e fundit të renditjes, teksa kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u luajtur.

REZULTATET E CONFERENCE LEAGUE