RTSH Sport Live

Ballkani, të enjten për kualifikim

  • 09/08/2022
  • |
  • Kosova
Ballkani, të enjten për kualifikim
Skuadra e Ilir Dajës synon mbrojtjen e fitores 3-2 përballë Klaksvikut të Ishujve Faroe

Kampionia e Kosovës, Ballkani, vazhdon aventurën e saj, tashmë në veprimtarinë e 3-të të klubeve të kontinentit, Ligën e Konferencës, aty ku të enjten do të luajë takimin e dytë në kuadër të turit të 3-të eliminator. Në takimin të parë, të luajtur në Stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja ka patur përballë ekipin nga Ishujt Faroe, Klaksvik. Dhe skuadra e drejtuar nga trajneri nga Tirana ka marrë një fitore 3-2 duke hedhur kështu një hap drejt kualifikimit. Në fakt rezultati duhet të kishte qenë edhe më i thellë, pasi kampionia e Kosovës arriti të krijonte një epërsi prej 3 golash, por miqtë ngushtuan shifrat, duke shënuar dy herë në 22 minutat e fundit.

Ndërkohë, kampionia e Ishujve Faroe, Klaksvik, shpreson në përkrahjen e tifozëve për ta mposhtur Ballkanin. E teksa Ballkani po debuton në veprimtaritë evropiane, Klaksviku ka përvojë dukshëm më të gjatë dhe ka arritur më herët edhe në fazën e “play-off”-it, në Ligën e Europës në edicionin 2020/2021. Një sukses të tillë e kërkon edhe këtë edicion, por, edhe për Ballkanin do të ishte sukses shumë i madh kalimi në turit dhe mbërritja në “play-off”-it të Ligës së Konferencës, që është pengesa e fundit para fazës së grupeve. Asnjë skuadër nga Kosova nuk ka arritur në “play-off”in e Ligës së Kampioneve, Ligës së Evropës apo Ligës së Konferencës.