RTSH Sport Live

Banjaja, tre fitore radhazi në MOTO GP

  • 22/08/2022
  • |
  • Moto GP
Banjaja, tre fitore radhazi në MOTO GP
Për të arritur titullin, Dukati duhet të bëjë lojë skuadre

Objektivi i vetëm i Françesko Banjajas në Zeltueg ishte një, vetëm fitorja. Dhe ia arriti. Kështu “Pecco” arrin suksesin e tretë radhazi, të cilin Dukati në MotoGP e kishte arritur vetëm me Stoner në 2007 e 2008, i vetmi pilot kampion bote në klasin mbretëror me një motor të “Borgo Panigales”. Një hap i mirë ky për Banjajan drejt synimit për të arritur Fabio Kuartararon, që kryeson klasifikimin për pilotë. Por në arritjen e objektivit për pilotin spanjoll mund të shërbejë edhe gara e radhës, ajo në Misano, në 4 shtator. Me 44 pikë diferencë ndaj Kuartararos, për “Peccon” është e ndaluar të gabojë. Një paralajmërim, veçanërisht për Banjaja, i cili në Misano 2021 pa ëndrrën e tij botërore të zhdukej pas përplasjes që bëri pesë xhiro nga fundi duke ia dhuruar kështu titullin Kuartararos kur kishin mbetur edhe dy gara për t’u zhvilluar. Gara në Austri tregoi se Banjaja arriti jo vetëm të marrë kryesimin, por edhe ta ruajë atë deri në fund duke marrë kështu pikët maksimale.

E për të arritur titullin, Dukati duhet të bëjë një lojë skuadre, të arrijë që me pilotët e tij të mbajë sa më larg nga kreu, francezin e Jamahas. Por edhe Kuartararo, pas parakalimit mjaft të bukur të Milerit, mundi të pozicionohet në vendin e dytë. Më shumë se kaq nuk mund të arrinte një Jamaha në një pistë jo të favorshme për të.