RTSH Sport Live

Barazim dramatik në “Loro Boriçi”, Vllaznia-Egnatia 1-1

  • 26/04/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Barazim dramatik në “Loro Boriçi”, Vllaznia-Egnatia 1-1
Është luajtur akti i parë gjysmëfinal mes kuqebluve dhe rrogozhinasve

Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka zhvilluar të mërkurën aktin e parë të gjysmëfinaleve. Në “Loro Boriçi”, Vllaznia dhe Egnatia kanë dhuruar një barazim dramatik 1-1, me kuqeblutë që kanë arritur të vendosin barazpeshën në minutën e 95-të.

Skuadra shkodrane kishte kontrollin e lojës, ndërkohë që rrogozhinasit u shfaqën rrezikshëm në moment të caktuara siç ishte rasti i Duamena, i cili u ndal nga traversa. Edhe në pjesën e dytë kuqeblutë ndërtuan më shumë, por u goditën atëherë kur nuk pritej.

Në minutën e 68-të, një kundërsulm i jashtëzakonshëm i rrogozhinasve, me Duamena që kaloi këdo që i doli përpara, duke finalizuar saktësisht në fund. Minutat në vazhdim ishin një dialog i gjatë mes sulmit kuqeblu dhe mbrojtjes rrogozhinase, me Hoxhajn i cili arriti të vendosë barazpeshën në minutën e 5-të shtesë, 1-1, që është dhe rezultati përfundimtarë i gjysmëfinales së parë.

Ndeshja e kthimit do të luhet më 11 maj.