RTSH Sport Live

Barbora Krejçikova, fituesja e “Roland Garros”  

  • 12/06/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Barbora Krejçikova, fituesja e “Roland Garros”  
Çekja fiton për herë të parë turneun e madh të Parisit, mund Pavlushenkovën, 2-1

Barbora Krejçikova është fituesja e “Roland Garros” për femra për vitin 2021, ndërsa në gati dy orë ka mundur 2-1 rusen Anastasia Pavlushenkova, që në renditjen botërore gjendet në vendin e 31-të. Të dyja tenistet, ndërsa finalja ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, e kishin për herë të parë një finale.

Kanë qenë pjesëmarrëse në “Roland Garros”, por jo deri në këto nivele. Krejçikova e ka nisur shpejt ndeshjen, ndërsa ka fituar setin e parë 6-1. Me të njëjtën monedhë është përgjigjur rusja Pavlushenkova, e cila triumfon në setin e dytë 2-6. Luftë nervash në setin e tretë, por që në fund triumfi ka ngjyrat e flamurit të Republikës së Çekisë dhe të Barbora Krejçikova.

 6-4 dhe përfundimisht 2-1, ndërsa kështu Krejçikova bëhet për herë të parë në karrierën e saj fituese e një turneu të madh të tenisit botëror, që në këtë rast ishte “Roland Garros”. Shumë emocione për Krejçikovën, që në fjalën e saj përshëndetëse ka falënderuar të gjithë stafin e saj, por dhe popullin çek. Por mbi të gjitha ka qenë e gëzuar, sepse triumfoi në një turne ndërkombëtar, që vinte pas një Pandemie të gjatë Covid-19.

Dhe kupën për Krejçikovën, si dhe për finalisten e këtij turneu, që ishte rusja Pavlushenkova, e ka dorëzuar një yll i tenisit botëror të femrave dhe atij çek si Martina Navratilova, e cila në karrierën e saj ka qenë fituese dy herë e “Roland Garros” pikërisht më 1982 dhe 1984.

 E diela do të jetë për finalen e meshkujve në “Roland Garros”, atë mes raketës së parë botërore Novak Xhokoviç dhe raketës së pestë botërore Stefanos Tsitsipas, që do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar duke nisur nga ora 15:00.