RTSH Sport Live

Barcelona fiton “El Klasikon” me përmbysje

  • 19/03/2023
  • |
  • Spanjë
Barcelona fiton “El Klasikon” me përmbysje
Mund Realin e Madridit 2-1 dhe shkëputet +12 në krye

Në derbin e përjetshëm midis dy rivaleve spanjolle, Barcelonës dhe Realit të Madridit, kanë qenë katalanët që kanë fituar me përmbysje, teksa kanë triumfuar me shifrat 2-1, duke hedhur kështu edhe një tjetër hap drejt sigurimit të titullit "kampion". Në fakt, ndeshja ka nisur shumë mirë për madrilenët, që kalojnë të parët në epërsi pas 10 minutash lojë, falë një autogoli të Araujo.

Megjithatë, pjesa e parë do të mbyllet në barazim 1-1, sepse, pikërisht në fundin e saj, pas një këmbënguljeje të gjatë të vendasve dhe paaftësisë së madrilenëve për të larguar siç duhet topin, do të jetë Serxhi Roberto që do ta dërgonte atë në rrjetë për të rikthyer barazpeshën në shifra.

Pjesa e dytë do të jetë e luftuar dhe, 9 minuta para fundit, Reali i Madridit pandehu se kishte kaluar në epërsi, falë një finalizimi të saktë të Marko Asensios, por goli do të anulohet për çështje milimetrash nga Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR). Do të jetë Barcelona që do ta gjejë në minutën e parë shtesë golin që do ta vlejë, me anë të Fronk Kesisë, duke vulosur kështu fitoren e katalanëve me shifrat 2-1 dhe bashkë me të edhe shkëputjen me plot 12 pikë në krye të renditjes së La Ligës spanjolle.