RTSH Sport Live

Barcelona i falet Ter Stegen, arrin në finale e Superkupës

  • 14/01/2021
  • |
  • Spanjë
Barcelona i falet Ter Stegen, arrin në finale e Superkupës
Katalanasit kanë arritur të mposhtin Real Sociedad pas gjuajtjeve të penalltive, koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1

Barcelona është finalistja e parë e Superkupës së Spanjës, teksa ka mposhtur Real Sociedad pas gjuajtjeve të penalltive, koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1. Të besuarit e trajnerit Koeman do të duhet të presin sfidën Real Madrid-Bilbao, për të mësuar emrin e kundërshtarit me të cilin do të përballen në finale.

Në sfidën e mbrëmjes përballë Sociedad, katalanasit shënuan të parët, në minutën e 39-të me anë të De Jong, assist i Griezmann. Por pjesa e dytë sjell një tjetër tablo të sfidës, një Sociedad më kërkues, që në minutën e 52-të gjen golin e barazimit me Oyarzabal nga pika e penalltisë.

Edhe në shtesë barazimi 1-1 mbeti në fuqi dhe skuadrat iu drejtuan pikës së bardhë. Për katalanasit gabuan De Jong e Griezmann, por Ter Stegen u tregua i jashtëzakonshëm duke neutralizuar kundërshtarin dhe duke siguruar biletën e finales.