RTSH Sport Live

Barcelona ndalet, Atalanta fiton me përmbysje

  • 10/03/2022
  • |
  • UEFA Europa League
Barcelona ndalet, Atalanta fiton me përmbysje
Bergamaskët mundin Bajer Leverkusen, 3-2, Gjimshiti 69 minuta lojë

Atalanta fiton përsëri me përmbysje në ndeshjen e saj në Europa Ligë. Këtë herë në Bergamo ndaj Bajer Leverkusen, ndërsa ishin gjermanët që kaluan të parët në avantazh në të 11’ me Aranguiz. Përmbysje e çmendur për të besuarit e Gasperinit, që me Malinovskin në të 23’ dhe Muriel në të 25’ pjesën e parë do ta mbyllnin në avantazhin 2-1. Dhe sapo nis pjesa e dytë, sërish kolumbiani do të shënonte golin e tretë për bluzinjtë e Atalantas.

Por Diabi mban gjallë shpresat e gjermanëve për kualifikim, ndërsa Gjimshiti ka luajtur për 69 minuta. Ndërkohë në Europa Ligë, të mërkurën Lioni dhe Eintraht Frankfurt kanë marrë fitore në transfertë, 1-0 ndaj Portos dhe 2-1 ndaj Betis Sevilja. Sevilja nga ana tjetër ka siguruar një fitore minimale ndaj Uest Hem, 1-0.

Bie në sy barazimi pa gola mes Barcelonës e Gallatasarajit, kurse skocezët e Rejxhërs kanë shkatërruar Crvena Zvezdën, 3-0. Fitore për skuadrat vendëse ka marrë dhe Braga, 2-0 ndaj Monakos. Edhe në Europa Ligë, ndeshjet e kthimit të fazës Play-off do të luhen më 17 mars, kurse finalja në Sevilje më 18 maj.