RTSH Sport Live

Barcelona, në garë me kohën për lojtarët

  • 05/08/2022
  • |
  • Spanjë
Barcelona, në garë me kohën për lojtarët
Klubi katalan, në konflikt me lojtarët për pagat në prag të 13 gushtit

Raportohet se sulmuesi i Barcelonës, Martin Brethuejt, nuk pranon të largohet nga klubit pa u kompensuar plotësisht për dy vitet që i kanë mbetur në “Nou Kamp”. Lojtari i përfaqësueses së Danimarkës ka një kontratë deri më 2024-ën me Barcelonën, që e bleu nga Leganesi në 2020-ën. Sipas të përditshmes sportive katalane “Sport”, danezi nuk pranon t’u dorëzohet kërkesave të klubit, teksa ka parë t’i ulet shuma që parashikohet në kontratën e nënshkruar para dy vitesh dhe kërkon që të paguhet plotësisht.

Atij i është bërë e qartë se nuk ka të ardhme në këtë klub dhe i është ofruar edhe një letër “liridaljeje”, që do t’i mundësonte të vendoste vetë se ku dëshiron të shkojë. Barcelona është përforcuar në sulm me Rafinjën dhe Robert Levandovskin gjatë kësaj verë dhe ka nevojë ta ulë sa të mundet faturën e rënduar financiare të borderosë së pagave përpara 13 gushtit, që është afati i fundit për regjistrimin e lojtarëve për sezonin e ri në kampionatin spanjoll.

Klubi katalan kërkon të korrigjojë një numër gabimesh të kushtueshme në skuadrën aktuale, por kjo nuk po pranohet edhe aq lehtë nga lojtarët. E përditshmja sportive katalane “Sport”, raporton se rrjedha e ngjarjeve ka shkaktuar pakënaqësi tek hierarkia e Barcelonës, me disa prej figurave të klubit që mendojnë se lojtarët duhet t’i pranojnë shkurtimet e propozuara të pagave si një mënyrë për të ndihmuar në mbijetesën afatgjatë të klubit.

Në fakt, e gjitha vera ka qenë e mbushur me lajme për Barcelonën që u kërkon lojtarëve të heqin dorë nga pagat e mëparshme. I tillë ka qenë edhe rasti i Frenki De Jongut, për të cilin ish-futbollisti i Mançester Junajtid, Geri Nevill, ka deklaruar se po i bëhet presion nga klubi katalan që të heqë dorë nga detyrimet e prapambetura nëse dëshiron të transferohet në Premier Ligën Angleze, në “Olld Traford”.

“Një klub që shpenzon gjithë ato para për të blerë lojtarë të rinj por nuk i paguan ata që ka nën kontratë është i pamoralshëm dhe në shkelje të kontratave”, - ka deklaruar Nevill.