RTSH Sport Live

Barcelona në krizë identiteti, Koeman i ka orët të numëruara

  • 21/09/2021
  • |
  • Spanjë
Barcelona në krizë identiteti, Koeman i ka orët të numëruara
Barazimi 1-1 me Granadan ka rënduar pozitën e trajnerit. Nuk ka një ide të qartë për zëvendësuesin

Çfarë loje! Një seri e gjatë krosimesh për “kullën” Luuk de Jong dhe Gerard Pique, i cili hyri në minutën e 75-të për të bërë rolin e qendërsulmuesit. Një lojë që nuk është pëlqyer, aq më tepër nga një Barcelonë, që gjithmonë ka patur një stil të ndryshëm, atë me shumë pasime për të shkuar para portës kundërshtare. E megjithatë, trajneri Koeman e ka një përgjigje: “Është e lehtë të përgjigjesh. Shikoni listën e të grumbulluarve, çfarë duhet të bëjmë? Të luajmë tiki-taka, kur nuk ka hapësirë? Kemi bërë atë që duhet të bënim, të ndryshonim fatin e ndeshjes në një tjetër mënyrë. Nuk kemi lojtarë për një kundër një, apo të shpejtë… Boh, nuk dua të them gjë tjetër”.

"Kjo nuk është Barça e 8 viteve më pare. Me lojtarët që kemi në dispozicion, ne bëmë maksimumin". Dhe këtu është pyetja që të gjithë bëjnë: a ka të drejtë Koeman apo është ai që nuk është në gjendje të dalë me diçka më shumë nga një skuadër që në letër ende duket konkurruese dhe plot lojtarë interesantë?

Është e qartë se orët e trajnerit janë të numëruara. Problemi është se shkarkimi I tij kushton, po ashtu dhe ardhja e një trajneri të ri dhe Barça ndodhet në një situatë dramatike. Dje në Kamp Nou mund të futeshin 40 mijë tifozë, porn ë fakt u shitën vetëm 27 mijë bileta. Jo të gjithë kanë dëshirë të shikojnë një skuadër të tillë.

Koeman qëndron të paktën deri në ndeshjen e së enjtes me Cadiz. Pastaj ai luan përsëri të dielën në shtëpi me Levanten, më pas është një sfidë delikate, ajo me Benfikën në Ligën e Kampioneve.

Kalendar i komplikuar dhe për të gjetur një zëvendësues. Në kokën e Laportës ka shumë emra. Xavi ka kohë që është larguar, ashtu si dhe Jordi Cruijff, në rolin e një drejtuesi, i cili e ka bërë të qartë se nuk do të shkojë nga tavolina në stol. Katalanasi Bob Martinez pëlqehet shumë, por ai është i lidhur me Belgjikën.

 Antonio Conte, duke lënë mënjanë çështjen e stilit të lojës, është jashtë mundësive ekonomike. Ekziston edhe emri i Andrea Pirlo, të cilin ata e adhuruan si lojtar në Camp Nou. Vetëm nga kjo listë triumfon konfuzioni rreth Barcelonës. Një skuadër që ka humbur identitetin (përveç Leo Messit, parave, lojës dhe  rezultateve) dhe nuk di si t'i gjejë.