RTSH Sport Live

Bare, asist në suksesin ndaj Realit

  • 03/10/2021
  • |
  • Spanjë
Bare, asist në suksesin ndaj Realit
Mesfushori shqiptar u bë protagonist në sfidën mes Espanyol dhe ekipit të Ançelottit

Keidi Bare protagonist në Spanjë me fanellën e Espanyol në ndeshjen kundër mbretërorëve të Real Madrid. Mesfushori fierak i Kombëtares Shqiptare i dha një dorë të madhe skuadrës katalanase në fitoren 2-1 duke kontribuar me një asist shumë të rëndësishëm për suksesin e dytë sezonal të Espanyol që e largon përkohësisht nga zona e ftohtë e klasifikimit. Bare e nisi ndeshjen titullar në “Cornelia El Prat” ndërsa gjatë pjesës së parë arriti të rezistonte ndaj sulmeve të skuadrës madrilène që e pësoi golin e parë në minutën e 17-të.

 Bare dhe shokët e tij nuk lëshuan centimetra dhe skuadra e Ancelottit vazhdoi të vuante madje pësoi edhe të dytin 30 minuta nga fundi kur Bare dhuroi një top për Vidal dhe ky i fundit u nis drejt zonës së miqve duke shënuar golin e dytë për llogari të katalanasve. Gjatë minutave të mbetura, Espanyol mund të kishte shënuar edhe golin e tretë ndërsa Benzema ngushtoi shifrat por nuk ndryshoi fatet e këtij takimi nga ku Bare dhe Espanyol dalin me një fitore shumë të rëndësishme. Moment super për mesfushorin e Kombëtares Shqiptare i cili do të bashkohet të hënën me skuadrën e trajnerit Edoardo Reja.