RTSH Sport Live

Barushi: Burreli nuk është Barcelona

  • 15/12/2020
  • |
  • Futboll Vendi
Barushi: Burreli nuk është Barcelona
Administratori i Dinamos në studion e emisionit “E hëna sportive” në RTSH Sport

Dinamo vazhdon të jetë në rrugë të mbarë tejsa edhe në ditën e djeshme të kampionatit mori një fitore ndaj Besëlidhjes, teksa ka dalë edhe në krye të kampionatit. Ndeshja e radhës është ndaj një rivali direkt si Burreli, ndërsa për administratorin e bluve, Ermal Barushi kërkon të mos ketë mbivlerësim për këtë kundërshtar. I ftuar në e “Hëna Sportive”, në Rtsh, Barushi foli edhe për çështjen e stadiumit dhe fushave stërvitore.

Fitorja ndaj Besëlidhjes? “Duket si fitore e pastër ndaj Besëlidhjes pasi goli erdhi shpejt. Ishim në kërkim të golit të dytë që erdhi në fund dhe ajo na bëri të ndihemi mirë. Skuadra luan deri në momentet e fundit dhe këtë e kemi treguar edhe në Kupë. Skuadra luan futboll e deri tani jemi të kënaqur edhe pse duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një”.

Ndeshja ndaj Burrelit? “Në përgjithësi ne jemi të kënaqur pasi grupi po funksion mirë dhe është një ekip që është i uritur. E kemi bërë Burrelin si Barcelona, me gjithë respektin për atë skuadër. Kemi kontaktuar dy lojtarë nga të tyret, por ne kërkojmë të marrim fitore në çdo ndeshje”.

“Kemi marrë një qendër stërvitore për 35 vite. Financimet tona vijnë nga Italia dhe nuk po bëjnë përpara për ndërtimin e hotelit dhe kompleksit. Kemi një fushë me bar natyral dhe luajmë ndeshje atje. Kemi një kontratë me stadiumin e Pezës dhe po përpiqemi të bëjmë sa më mirë. Ideja kryesore ishte të ngrinim akademinë dhe kemi U-21 në vend të dytë të kampionatit. Objektivi është ndërtimi i qendrës stërvitore. Stadiumi është përtej mundësive tona, por të shikojmë”.

“Skuadra është krijuar që në fillim të sezonit për të arritur në vendin e parë. Kemi bërë ndeshje të mira e mendoj se po shkojmë drejt objektivit edhe pse duhet të jemi me këmbë në tokë. Jemi edhe në Kupë dhe do të garojmë edhe në këtë kompeticion pasi kemi treguar që kemi një skuadër që shënon gola dhe kemi pësuar vetëm një gol.

Po mundohemi të bëjmë një të mirë në një kohë të shkurtër. Të gjithë e dijnë se si ishte skuadra vjet dhe ne arritëm të mbijetonim në Kategorinë e Parë. Tani po provojmë të shkojmë në Superligë”, u shpreh Barushi në RTSH Sport.