RTSH Sport Live

Bashkimi i Prizrenit, fitore sakrifice në Tiranë

  • 02/12/2021
  • |
  • Basketboll
Bashkimi i Prizrenit, fitore sakrifice në Tiranë
Katër lojtare të dëmtuara për skuadrën e Ulpiana Emrës, që kryeson së bashku me Penzën

Bashkimi i Prizrenit i bashkohet Penzës në kryesimin e Ligës Unike, Shqipëri-Kosovë, në basketboll për femra, teksa të enjten pasdite ka arritur fitoren e dytë. Një sukses në transfertë, por dhe shumë i vështirë për vajzat e Ulpiana Emrës, të cilat, edhe për shkak të të ftohtit të madh në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, kanë lënë në fushën e lojës katër lojtare të dëmtuar. Shatri, Krasniqi, Vranici dhe Vecgishti, por gjithsesi Bashkimi i Prizrenit nuk e ka patur problem të mund Tiranën me 32 pikë diferencë në ndeshjen e ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.

Diferencat janë të dukshme që në periodën e parë, të cilën Bashkimi e ka fituar 29-10. Mbahet ky ritëm dhe në të dytën, kur përsëri avantazhi është për vajzat nga Prizreni. 26-15 dhe në total 55-25. Ka një lloj përmirësimi në lojën e Tiranës, e cila ka fituar periodën e tretë 18-15, por në total kryeson përsëri Bashkimi i Prizrenit, 70-43. Perioda e katërt, edhe duke patur një numër më të pakët pikësh, plot 17, është thjeshtë sa për të përfunduar takimin. 6-11 për Bashkimin e Prizrenit dhe në përfundim 81-49 për këtë ekip. Tanimë Liga Unike në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar do të kthehet në fundjavë me meshkujt, ndërsa të shtunën në ora 17:00 do të luajë Teuta – Tirana e të dielën në ora 19:00, Vllaznia – Rahoveci.