RTSH Sport Live

Basketboll Femra, Flamurtari shpallet kampion i Shqipërisë

  • 02/05/2023
  • |
  • Basketboll
Basketboll Femra, Flamurtari shpallet kampion i Shqipërisë
Mundi Partizanin 80-73 në takimin e 4-t, që erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport

Superliga e Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Femra ka luajtur të martën duelin e 4-t të “play-off”-it final, aty ku Partizani ka qenë pritëse përballë Famurtarit, duke synuar ta mbajë hapur çështjen e titullit “kampion”. Skuadra vlonjate i pati fituar dy takimet në fushën e saj, teksa kryeqytetaset janë kthyer ta fitojnë takimin e dytë, të luajtur në kryeqytet. Dhe në takimin e 4-të, atë të së hënës, të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport,  dhe që u luajt të luajtur në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, ka qenë Partizani, e drejtuar nga trajnerja Eliverta Bujari, që ka dëshmuar vullnetin e saj për të mos u dorëzuar në këtë betejë finale, teksa ka mbizotëruar në 10-minutëshin e parë, të cilin e ka fituar me rezultatin 23-18. Por, ndonëse në atë të dytin, është skuadra vlonjate, e drejtuar nga trajnerja Elona Hasanaj, që bën dallimin, duke e fituar atë me 3 pikë epërsi, 19-16, do të jenë kryeqytetaset që shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave, duke kryesuar me rezultatin, 39-37.

10-minutëshi i 3-të do të jetë mjaft i luftuar nga ana e të dyja skuadrave, dhe, ndonëse Partizani ka kryesuar 54-48, një vazhdë prej 11 pikësh pa përgjigje e vlonjateve ka përmbysur shifrat në 57-54. Dhe Flamurtari ka vijuar ta ruajë dhe ta thellojë këtë epërsi, duke e marrë këtë 10-minutësh 20-15, e duke kryesuar kështu me një gjysmëore lojë me shifrat 57-54. 10-minutëshi i 4-t dhe i fundit ka parë Flamurtarin ta mbrojë epërsi, edhe falë ruajtjes së gjakftohtësisë, dhe madje ta thellojë atë. Vlonjatet e fitojnë këtë fraksion loje me një epërsi prej 4 pikësh, 23-19 dhe vulosin fitoren me 7 pikë epërsi, me shifrat 80-73. Flamurtari korr kështu fitoren e 3-të në këtë duel final, duke e mbyllur në 4 ndeshje çështjen e titullit dhe duke mbetur kështu në fronin e “kampiones” së Shqipërisë në basketbollin e femra.