Serbia është shpallur për herë të dytë kampione e Europës në basketboll për femra, ndërsa të dielën në mbrëmje në Valencia mundi Francën në finale, ashtu sikurse kishte bërë dhe më 2015-ën. Skuadra e trajneres Marina Maljkoviç fitoi 63-54 ndaj Francës në një përplasje drithëruese, kjo pas 18 pikëve të shënuara nga Ivon Anderson, kurse Jelena Bruks dha një kontribut të madh me 15 pikët e shënuara dhe 5 kapjeve të topit në tabelë.
Serbia e përfundoi turneun me një rekord të përsosur 6 fitore në 6 ndeshje, ndërsa Franca, e cila tani ka marrë medaljen e pestë radhazi të argjendtë në Kampionatin Europian të basketbollit për femra, kishte mbërritur në finale gjithashtu e pamposhtur. Duke marrë medaljet e arta në Valencia, Serbia tani ka arritur në katër medalje të tilla në një turne të madh në gjashtë vjet pasi, përveç suksesit të titullit Kampion Europe më 2015, ata gjithashtu kishin marrë dhe medaljet e bronzta në Lojërat Olimpike në “Rio de Zhaneiro 2016”, apo dhe në Kampionatin Europian të 2019-ës.
Sonja Vasiç drejtoi triumfin e suksesshme të Serbisë dhe ajo udhëhoqi kampionët në pikët e shënuara, asistet dhe kapjet e topit në tabelë, ndërsa mesatarisht kishte 15.5 pikë të shënuara për ndeshje, 7.2 asiste për ndeshje, apo 4.2 kapje topi në tabelë. Vasiç u votua si lojtarja e ndeshjes, ndërsa ishte dhe në pesëshen më të mirë të kampionatit së bashku Endi Mijem, dyshen belge Ema Miseman dhe Zhyli Alemand, si dhe Xhonkuel Xhons të Bosnje-Hercegovinës. Në finalen e vogël për vendet 3-4, Belgjika mundi Bjellorusinë 77-69.
Ky ishte podiumi i dytë për belget, ndërsa Xhons e Bosnje-Hercegovinës u shpall shënuesja më e mirë me 24.3 pikë për ndeshje, si dhe 16.3 kapje topi në tabelë. Sllovenia do të jetë organizatorja e Kampionatit Europian të basketboll për femra më 2023.