RTSH Sport Live

Basketboll/Goga Basket rihap luftën për titull

  • 09/06/2021
  • |
  • Basketboll
Basketboll/Goga Basket rihap luftën për titull
Skuadra e Vujaçiç është ringjallur në “Ramazan Njala”, teksa ka fituar 75-73

Ringjallet Goga Basket, ndërsa finalja e dytë për titull kampion në basketboll për meshkuj është pikërisht për skuadrën e Darko Vujaçiç, që në fakt është me cilësinë e kampiones së sezonit 2019-2020. Tanimë finalet e djemve janë në barazim 1-1. Që do të thotë se është e parashikueshme të shkohet minimalisht me katër ndeshje e maksimalisht pesë takime, gjithnjë duke patur favorin Goga Basket për dy ndeshje në fushën e vet.

Loja është shumë e rreptë. Ka shumë ndërprerje e faulla të shkaktuar, ndërsa Teuta arrin të fitojë periodën e parë 24-22. E dyta është për Goga Basket, 19-21 dhe në pushim gjithçka e barabartë 43-43. Pikërisht në fillimin e periodës së tretë Goga Basket del për herë të parë në avantazh 43-45 dhe e mban këtë distancë, ndërsa shkëputet deri në 8 pikë diferencë.

Fiton periodën e tretë 13-21 dhe në total 56-64. Tanimë rëndohet situata për skuadrën e Vujaçiç pasi me pesë gabime personale janë larguar Strazimiri e Xhokoviç, ndërsa tek Teuta, Riçardson. Teuta është afruar në fundin e periodës së katërt 73-74. Shkaktohen faulla pa fund nga durrsakët në mënyrë që më pas të merrnin topin në zotërim.

Blagojeviç nga dy gjuajtje të lira shënon vetëm një dhe 73-75. Dhe në sulmin e fundit durrsakët gabojnë, teksa nuk ka më kohë, sepse Goga Basket e ka fituar ndeshjen, 73-75. Finalja e tretë për titull kampion do të luhet të shtunën në ora 19:00 në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” të Xhafzotajt dhe do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.