Veprimtaria e dytë e basketbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka luajtur të mërkurën 4 duelet gjysmëfinaliste, si për femra, ashtu edhe për meshkuj, duke përcaktuar edhe skuadra që do të luftojnë të enjten për trofeun e madh. Tek femrat, Partizani ka triumfuar në derbin kryeqytetas me Tiranën, duke e dominuar ndeshjen nga fillimi deri në fund. Përtej një nisjeje të barabartë, Partizani e merr 10-minutëshin e parë 25-17 dhe, ndonëse Tirana reagon, e merr edhe të dytin 23-21, duke bërë që të shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave në epërsi 48-38.
Edhe dy 10-minutëshat e tjerë kanë të njëjtën tablo, pasi Partizani i fiton ato përkatësisht 21-17 dhe 20-14 dhe gjithë ndeshjen 89-69 dhe do të përballet në finale me Flamurtarin. Nga ana e tyre, vlonjatet mundën skuadrën tjetër bardheblu, SHKBF Tiranën, me shifrat 84-72, me gjithçka që u vendos në gjysmën e parë të ndeshjes. Flamurtari e fitoi 10-minutëshin e parë 22-17 dhe atë të dytë, 23-9, duke kryesuar në pushim të ndeshjes me shifrat 45-26. Ndonëse Tirana kundërpërgjigjet dhe e fiton të 3-tin 23-16, Flamurtari nuk lëshon dhe, teksa 10-minutëshi i 4-t mbyllet në barazim 23-23, e fiton gjithë takimin me rezultatin 84-72.
Ndërkaq, tek meshkujt do të jetë një derbi i Durrësit finalja e Kupës së Shqipërisë në basketboll, pasi Goga Basket dhe Teuta nuk kanë gabuar në duelet e tyre gjysmëfinale, duke mundur përkatësisht Kamzën dhe Tiranën dhe duke siguruar vendin në duelin për trofeun e parë të sezonit. Në takimin e luajtur më herët, Teuta ka mbizotëruar në duelin përballë kryeqytetasve, duke i fituar të 4 10-minutëshat e lojës. 36-27 ka qenë 10-minutëshi i parë dhe 21-20 ai i dyti dhe bregdetarët shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave duke kryesuar 57-47.
Tirana ka qenë e pafuqishme edhe në dy 10-minutëshat e mbetur, pasi Teuta i fiton ato, përkatësisht 23-16 dhe 26-20 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin bindës, 106-83. Ndërkaq, nuk ka qenë edhe aq e lehtë për Goga Basket, pasi Kamza e ka fituar 10-minutëshin e parë 26-22. Por skuadra vendase, teksa përballet e 4-shes finale të Kupës së Shqipërisë po luhen në Arenën Sportive “Dhimitraq Goga” në Durrës, ka reaguar, duke e marrë 10-minutëshin e dytë 22-13 dhe duke e mbyllur 10-minutëshin e parë në epërsi, 44-39.
Dy 10-minutëshat e dytë kanë qenë të luftuar, por Goga Basket i ka fituar të dy ato me nga dy pikë epërsi, 19-17 dhe 24-22, dhe gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 87-78. Dy finalet e Kupës së Shqipërisë do të sillen drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, duke nisur me femrat në ora 17:00 dhe meshkujt në ora 19:00.