RTSH Sport Live

BASKETBOLL/Liga Unike: Peja dhe Rahoveci, në gjysmëfinale

  • 06/04/2021
  • |
  • Basketboll
BASKETBOLL/Liga Unike: Peja dhe Rahoveci, në gjysmëfinale
Peja arriti fitore ndaj Vllaznisë së Shkodrës me rezultat 73:90 (17:16, 17:26, 19:23, 20:25)

Turneu i përbashkët i basketbollit shqiptar, e mbiquajtur “Liga Unike” ka nisur të martën rrugëtimin e tij, duke përcaktuar edhe çiftin e parë të gjysmëfinaleve. Siç dihet, për shkak të situatës së krijuar nga epidemi e “Covid-19”, ky sezon debutues i Ligës Unike do të jetë i reduktuar, duke nisur menjëherë me çerekfinalet, të cilat, po zhvillohen në Kosovë, në Rahovec, ndërsa 4-shja finale do të zhvillohet në Shqipëri, në Durrës, mesjavën e ardhshme.

Kështu, Peja është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës Unike, pasi korri një fitore ndaj Vllaznisë së Shkodrës me rezultatin 90-73. Ndeshja nisi e barazpeshuar, me të dy skuadrat që nuk arrinin të shkëputeshin në rezultat, e për rrjedhojë, 10-minutëshi i parë u mbyll 17-16 për shkodranët.

Por Peja ishte më e mirë në 10-minutëshin e dytë, duke shijuar deri në 10 pikë, 40-30, ndërsa gjysma e parë e takimin përfundon 42:34 për vendasit. Peja e kontrolloi lojën edhe në gjysmën e dytë dhe verdhezinjtë mbizotëruan edhe në 10-minutëshin e 3-të, që e fituan 23-19 dhe, pas një gjysmë ore lojë, udhëhiqnin 65-53.

Kjo bëri që 10 minutat të ishin formalitet, teksa pejanët thelluan epërsinë, kurse triumfuan me shifrat 90-73. Tek Vllaznia u dallua Kuper, me 21 pikë dhe 7 topa në tabelë, ndërsa te Peja më të dalluarit ishin Uolltërs, me 23 pikë e 15 topa të fituar në tabelë dhe Dardan Berisha me 26 pikë e 5 pasime për kosh.

Në gjysmëfinale, Peja do të ballafaqohet me Rahovecin, që u kualifikua pa lojë pas tërheqjes së papritur të Teutës nga gara. Të mërkurën do të zhvillohen dy ndeshjet tjera çerekfinale, kurse 4-shja finale e këtij turneu do të zhvillohet në Durrës, në Arenën Sportive “Dhimitraq Goga”, më 13 dhe 14 prill 2021.