RTSH Sport Live

Basketboll Meshkuj/Rahoveci, i treti i Ligës Unike

  • 14/04/2021
  • |
  • Basketboll
Basketboll Meshkuj/Rahoveci, i treti i Ligës Unike
Goga Basket, edhe pse në fushën e vet, pëson dy humbje e shfaq shumë defekte

Rahoveci është vendi i tretë i Ligës Unike në Basketboll për meshkuj në edicionin e parë finalet e të cilit janë luajtur në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” në Xhafzotaj, të cilat kanë ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Pikërisht medaljet për skuadrën e Rahovecit i ka shpërndarë sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, dhe drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës dhe Sportit në Kosovë, Iber Alaj.

Në përgjithësi Rahoveci e ka dominuar lojën, ndërsa ka fituar periodën e parë 25-21. Goga Basket mundohet të kundërpërgjigjet dhe duke fituar periodën e dytë 19-16 ngushton në 41-40. Pas pushimit përsëri skuadra e Foti Takianosit është vendosur mirë në lojë. Aq sa fiton periodën e tretë 22-17 dhe thellon në 63-57. E fundit është pikë më pikë me dëshirën e Goga Basket të barazojë dhe të kalojë përpara. Por Rahoveci kontrollon dhe godet atëherë kur duhet.

Madje ka saktësi dhe në gjuajtjet për tre pikë. 18-17 perioda e katërt e përfundimisht 81-74 dhe Rahoveci kështu zë vendin e tretë në Ligën Unike, ndërsa Goga Basket, edhe pse në fushën e vet, nuk arriti të fitojë asnjë nga dy ndeshjet e luajtura duke treguar që edhe me të huaj ka ende punë për të bërë për të arritur nivelin e ekipeve kosovare, që më shumti janë pjesëmarrëse dhe në Kupat e Europës.