RTSH Sport Live

Basketboll Meshkuj/Teuta, diktat ndaj Vllaznisë

  • 08/05/2021
  • |
  • Basketboll
Basketboll Meshkuj/Teuta, diktat ndaj Vllaznisë
Fitore e “djemve të detit” me 24 pikë diferencë, kuqeblutë mes shumë problemesh

Teuta konsolidon vendin e dytë në renditje, ndërsa pasditen e së shtunës, në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës, ka mundur Vllazninë me 24 pikë diferencë. I ka mjaftuar perioda e katërt durrsakëve të Nikola Milatoviç për të vënë diktatin ndaj kuqebluve të Afrim Bilalit, teksa katër tre pikësha bëjnë diferencën.

Vendësit janë të vendosur për të fituar dhe për të mos e lëshuar vendin e dytë në renditje. 27-18 perioda e parë për durrsakët. Vllaznia përmirëson lojën, ndërsa hyrja e Kuperit, apo dhe aktivizimi i lojtarëve të tjerë nga stoli prej Afrim Bilalit japin ndikimet e veta. Nga një diferencë prej 10 pikësh, 49-39, në fund të periodës së dytë gjithçka është ngushtuar në tre pikë.

28-22 perioda e dytë për shkodranët, por në pushim është Teuta në avantazh, 49-46. Tjetër mentalitet prej durrsakëve në periodën e tretë, ndërsa Milatoviç e ka bërë skuadrën më të vendosur për të arritur tek suksesi. 29-23 perioda e tretë dhe Teuta kryeson 78-67.

Vllaznia është inekzistente në fushën e lojës në periodën e katërt. Treguesi më i mirë janë shifrat e periodës së katërt, 23-10 për Teutën, që vulosin suksesin e durrsakëve 101-77. Në përfundim të ndeshjes si trajneri i durrsakëve, Nikola Milatoviç, ashtu dhe presidenti i “djemve të detit”, Arqile Gorea, janë treguar të kënaqur me suksesin. Tjetër mendim ka patur për ndeshjen trajneri i Vllaznisë, Afrim Bilali, ndërsa jo pak ka shigjetuar dhe gjyqtarët e ndeshjes.

Në ndeshjet e tjera, Goga Basket ka mundur Partizanin, 95-76, ndërsa Tirana ka bërë detyrën ndaj Barleti-Eagles. E kampionati rikthehet të mërkurën, ndërsa në vëmendjen të Radio Televizionit Shqiptar do të jetë sfida e Shkodrës, Vllaznia – Partizani.