RTSH Sport Live

Basketboll Meshkuj/Teuta, “makthi” i Goga Basket

  • 12/06/2021
  • |
  • Basketboll
Basketboll Meshkuj/Teuta, “makthi” i Goga Basket
Durrsakët në prag të shpalljes kampion në koshin shqiptar, në avantazhi 2-1

Teuta në basketboll për meshkuj është vetëm një hap larg titullit kampion, ndërsa duket se është kthyer në një makth për Goga Basket, veçanërisht në fushën e kësaj të fundit. Brenda një sezoni, duke llogaritur dhe fitoren e së shtunës në mbrëmje në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” të Xhafzotajt, Teuta e ka mundur katër herë Goga Basket në transfertë. Në ndeshjen e ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, Teuta ka fituar mes shumë sakrificash ndaj Goga Basket, 84-80.

Lojë nervash, ndëshkime me gabime teknike nga gjyqtarët, sepse të dy palët kanë protestuar ndaj gjykimit. Trajneri Vujaçiç tek Goga Basket, por dhe Pelisier e Riçardson tek Teuta janë “viktimat” e ndëshkimeve me gabime teknike. Teuta e ka nisur mirë ndeshjen, ndërsa ka fituar periodën e parë 26-22. Reagon Goga Basket, teksa me përmbysje arrin të jetë në avantazh në fundin e pjesës së parë.

Ka ndodhur kështu, sepse ka fituar periodën e dytë 21-16 dhe në total 43-42. Duhet veçuar dhe forma e Blagojeviç, që numëron katër trepikësha. Edhe pas pushimit, Goga Basket mban të njëjtin ritëm. 22-16 perioda e tretë dhe në total 65-58. Por Teuta nuk lëshon “pe”. Herë për gabime të kundërshtarit, por herë dhe për saktësi të sajën arrin të fitojë periodën e katërt 26-15 dhe krejt ndeshjen 84-80.

Tanimë me avantazhin 2-1, Teuta pret të mërkurën për t’u kurorëzuar kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj pikërisht në “Ramazan Njala” në Durrës. Por asnjëherë nuk mund të bëhet një parashikim i saktë, sepse Goga Basket, përtej humbjes së djeshme, është përsëri aty. Gjithsesi Teuta është në avantazh.