Afrim Bilali, trajneri i ri i Vllaznisë në basketboll për meshkuj, e ka nisur me fitore punën e tij në krye të kuqebluve. Pikërisht ndaj Tiranës në ndeshjen e cila është luajtur në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” dhe që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, Vllaznia ka korrur një fitore me 35 pikë diferencë.
Në fakt Tirana ka luajtur me dy “fytyra”, sepse ka bërë dy periodat e para shumë të mira e më pas në të dyta sikur nuk ishte në fushën e lojës. Periodën e parë Vllaznia e ka fituar 23-18. Ka një garë mes skuadrave për gjuajtjet me tre pikë, ndërsa dallohet Kuper për Vllazninë, por dhe Vogli për Tiranën.
Nga një diferencë prej dhjetë pikësh, Tirana ngushton në dy. 19-18 perioda e dytë, ndërsa Vllaznia në pushim ka kryesuar me tre pikë diferencë, 42-39. E treta dhe e katërta është një duel i vetëm i Vllaznisë përballë një Tirane thuajse inekzistente në fushën e lojës. 28-13 perioda e tretë për Vllazninë dhe në total 70-52.
Me një avantazh të pjesshëm 12-0, Vllaznia shkëputet në 30 pikë diferencë, 82-52. 32-15 perioda e katërt, e cila fikson rezultatin përfundimtar për kuqeblutë, 102-67.
Ndërkohë Teuta ka mundur Partizanin 88-79. E po kështu ka vijuar me sukseset e veta dhe Goga Basket, që thuajse ka patur një ndeshje stërvitore me Barleti-Eagles. Për femra vijon të vazhdojnë serinë e fitoreve Flamurtari e Partizani, ndërsa kampionati i basketbollit të meshkujve rikthehet në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar të shtunën me ndeshjen Teuta – Vllaznia drejtpërsëdrejti në ora 17:00 nga Pallati i Sportit “Ramazan Njala”.