Shqipëria në basketboll do të jetë organizatore e një tjetër aktiviteti ndërkombëtar. Këtë herë bëhet fjalë për Kampionatin Europian të moshës deri në 18 vjeç, i cili më 3-8 gusht do të zhvillohet në Tiranë pikërisht në sallën olimpike “Feti Borova”, atje ku dy vjet më parë është organizuar Europiani i moshës deri në 16 vjeç, Divizioni C. Ndryshe nga vitet e tjera, kjo dhe për shkak të Pandemisë Covid-19, nuk do të ketë ndarje në Divizione.
Kështu në Tiranë do të jenë shtatë skuadra, kryesisht të vendeve të vogla. Shqipëria do të jetë në grup përballë Kosovës dhe Moldavisë, kurse grupi tjetër do të ketë Luksemburgun, Andorrën, Gjibraltarin dhe Maltën. E përtej kësaj, Shqipëria e koshit do të jetë pjesëmarrëse dhe me skuadrat e 16-vjeçarëve djem e vajza, 18-vjeçareve vajza dhe 20-vjeçarëve djem e vajza.
Të parat që zbresin janë vajzat e moshës deri në 20 vjeç, të cilat më 13-18 korrik në Jerevan të Armenisë do të jenë përballë Greqisë, Zvicrës, Ukrainës dhe Armenisë. Më pas kombëtarja e djemve deri në 20 vjeç në Brno të Republikës së Çekisë më 20-25 korrik do të jetë përballë Spanjës, Rusisë, Italisë, skuadrës vendëse dhe Portugalisë.
Më 27 korrik – 1 gusht në Sofje të Bullgarisë kombëtarja e vajzave deri në 18 vjeç përballë Sllovenisë, Ukrainës, Bullgarisë, Zvicrës dhe Maqedonisë së Veriut. Vajzat e moshës deri në 16 vjeç, më 9 deri më 14 gusht, në Tbilisi të Gjeorgjisë do të ndeshen me Maqedoninë e Veriut, skuadrën vendëse, Maltën dhe Armeninë.
Dhe përfaqësimin Europian të moshave për 2021 e mbyll kombëtarja e djemve deri në 16 vjeç në Prishtinë të Kosovës më 16-21 gusht, ndërsa do të ketë kundërshtar Kosovën, Luksemburgun, Gjibraltarin, Moldavinë dhe Maltën.