RTSH Sport Live

Basketboll/Spiro Leka, një tjetër gur kilometrik me Ferrarën

  • 04/06/2021
  • |
  • Basketboll
Basketboll/Spiro Leka, një tjetër gur kilometrik me Ferrarën
Trajneri shqiptar e udhëheq ekipin italian drejt gjysmëfinaleve historike për ngjitjen në Serinë A1

Trajneri i mirënjohur shqiptar, Spiro Leka, ka prekur të mërkurën në mbrëmje një gur tjetër kilometrik në karrierën e tij mbresëlënëse. Shqiptari e ka udhëhequr skuadrën e tij, Ferrarën, drejt një tjetër suksesi, teksa ekipi ka triumfuar në ndeshjen e pestë në fushën e Treviljos të duelit çerekfinal të “play-off”-it për ngjitjen në nivelin më të lartë të kampionatit italian të basketbollit për meshkuj, në Serinë A1.

Ferrara u rendit e 9-ta në përfundim të sezonit të rregullt dhe u përball me Treviljon e vendit të 8-të, duke i humbur dy duelet e para në fushë të huaj, por duke u rikthyer të ngadhënjejë në dy duelet e tjera në fushën e vet dhe duke e çuar kështu fatin e këtij dueli në takimin e pestë. Aty ku, edhe pse luante në fushë të huaj, skuadra e trajnerit 56-vjeçar ka kapërcyer një deficit prej 7 pikësh pas dy 10-minutëshave të parë, duke i fituar ato të dytët me 11 pikë epërsi dhe gjithë ndeshjen 66-62.

Kjo fitore nënkupton se Ferrara triumfon 3-2 me ndeshje në këtë duel çerekfinal dhe siguron vendin në gjysmëfinale me Napolin, e cila, nga ana e saj, e mbylli sezonin e rregullt në vendin e parë të renditjes dhe në duelin çerekfinal e mbylli gjithçka në 3 ndeshje ndaj Pistojës së vendit të 16-të. Përveç kësaj, kjo do të jetë një përballje monumentale për skuadrën e drejtuar nga trajneri Spiro Leka, e cila, ndonëse me një buxhet modest prej 1.2 milionë Eurosh, do të sfidojë napolitanët me një buxhet prej 9 milionë Eurosh dhe me 9 lojtarë që janë huazuar nga skuadra e Serisë A1.

Përveç kësaj, kjo arritje e Ferrarës merr edhe më tepër vlerë teksa skuadra e Lekës ka luajtur plot 24 ndeshje që nga 17 marsi i këtij viti, pra, një ndeshje në çdo 3 ditë dhe ekipi i tij është i vetmi midis gjysmëfinalisteve që ka marrë një shpërblim prej 25,000 Eurosh për aktivizimin e një numri të lojtarëve Nën-22-vjeç.

Me pak, fjalë, duke lënë mënjanë sezonin e shkuar të ndërprerë nga epidemia e “Covid-19”, arritja deri në këtë fazë e ekipit të trajnerit shqiptar, bëhet edhe më mbresëlënëse kur mban parasysh se para dy vitesh e gjysmë, kur Spiro Leka mori drejtimin, Ferrara ishte kandidate serioze për të rënë nga Seria A2.