RTSH Sport Live

Basketboll, starton kampionati, Teuta me vrull të madh

  • 27/02/2021
  • |
  • Basketboll
Basketboll, starton kampionati, Teuta me vrull të madh
Durrsakët mundin Vllazninë e amerikanizuar me 12 pikë diferencë në “Ramazan Njala”

Basketbolli shqiptar është rikthyer në parket pas 11 muajsh mungesë, ndërsa kryesfida e javës së parë të Superligës së Meshkujve ishte Teuta – Vllaznia, e cila drejtpërsëdrejti nga Pallati i Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit ka ardhur në rrjetin e RTSH. Të dyja skuadrat të përforcuar me lojtarë amerikanë, më së shumti Vllaznia, e cila së bashku me trajneri Methju Xhons ka sjellë dhe Martinez, Hundal, Devis dhe Eduards.

Por jo më pak Teuta e Nikola Milatoviç, që ka në gjirin e vet Dukri, Pelisier, apo dhe malazezin Miranoviç. Teuta e ka nisur mirë ndeshjen, ndërsa është shkëputur deri në dhjetë pikë. Vllaznia afrohet deri në pesë pikë, por durrsakët përmirësojnë lojën e tyre dhe në përfundim të periodës së parë janë në një avantazh prej 18 pikësh, 35-17.

Me orientimet e Methju Xhons, ndonëse Teuta shkëputet deri në 21 pikë diferencë, Vllaznia përmirëson lojën dhe duke fituar periodën e dytë 23-26 ngushton në 15 pikë diferencë disavantazhin, ndërsa durrsakët në pushim janë në rezultatin 58-43. Vllaznia edhe pas pushimit ka ritëm të lartë. Madje afrohet deri në tre pikë. 12-19 perioda e tretë dhe në total 70-62.

Vetëm në të katërtën Teuta hyn në rrjedhën e saj. Nuk rrezikon asgjë. Fiton periodën e katërt 22-16 dhe krejt ndeshjen 92-80. Po për meshkuj, Goga Basket ka mundur Partizanin, 102-62, kurse për femra Flamurtari ka mundur Partizanin, 92-78. Ajo që bën përshtypje është mosparaqitja e Shoqatës së Klub Basketboll Tirana femra në Elbasan, ndërsa e ka humbur ndeshjen në “tavolinë”, 0-20, për mungesë plotësimi dokumentacioni.

Kurse Tirana F 20, që drejtohet nga Mirza Alibegaj, ka mundur Apoloninë, 86-47. Ndërkohë kanë nisur dhe ndeshjet e kategorisë së parë po për meshkuj, teksa kështu basketbolli është kthyer me shumë vrull në parket.