Kualifikueset e Kupës së Botës, Katar 2022 edhe njëherë në fushën e lojës, edhe njëherë me shumë gola. Nuk kanë munguar rezultatet tenistike, por edhe surprizat, një mbrëmje e mbushur me emocione.
Belgjika, me Lukaku në stol, ka shkatërruar Bjellorusinë me një rezultat të thellë, 8-0. Golat u shënuan nga Batshuayi, Vanaken, Trossard (dopieta për dy të fundit), Doku, Praet dhe Benteke.
Portugalia ka arritur të marrë një fitore me përmbysje, 3-1 përballë Luksemburgut. Lusitanët u surprizuan në minutën e 30-të të kësaj sfide, ndërsa Rodriguez shënoi për vendasit. Por më pas Jota, Cristiano Ronaldo dhe Palhinha përmbysën gjithçka.
Fitore e thellë dhe për Hollandën, 7-0 në fushën e Gjibraltarit. Të besuarit e De Boer vetëm në minutën e 42-të kanë arritur të zhbllokojnë sfidën me anë të Berghuis. Ndërkohë, në pjesën e dytë kanë arritur të shënojnë dhe gjashtë herë të tjera, me de Jong, Depay(dopietë), Wijnaldum, Malen dhe van de Beek.
Surprizohet Turqia, e cila nuk ka shkuar më shumë se një barazim 3-3 në përballjen me Letoninë. Të besuarit e Gunes shpërdoruan një avantazh prej dy golash në këtë sfidë, për tu mjaftuar në fund vetëm me një pikë. Karaman 2’ dhe Calhanoglu 33’ morën përgjigjen e Savalniekes 35’ në pjesën e parë. Ylmas 52’ u duk se mbylli të gjitha llogaritë në këtë sfidë, por Uldrikis 58’ dhe Ikaunieks 79’ dhuruan surprizën e madhe të mbrëmjes, duke vendosur barazpeshën.