Një portier ka humbur në mënyrë të papritur jetën vetëm pak sekonda pasi kishte pritur një 11-metërsh, për shkak të një ataku kardiak. 25-vjeçari Arne Espeel ishte duke luajtur për skuadrën e Vinkel Sport B kundër Vestrozebeke në Belgjikë në fundjavë, kur ndodhi ky incident fatal. Skuadra e tij po kryesonte 2-1 kur ekipit kundërshtar iu akordua një 11-metërsh në fillimin e pjesës së dytë.
Por portieri arriti ta ruajë epërsinë e skuadrës së tij, duke u hedhur në anën e duhur dhe duke e pritur këtë goditje nga pika e bardhë. Por menjëherë pas festimit për pritjen e 11-metërshit, ai humbi ndjenjat dhe ra në tokë dhe, përtej ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve, të cilët përdorën, pa sukses, edhe defribilatorët për ta kthyer në jetë, 25-vjeçari ndërroi jetë pa mbërritur në spital.
Ndeshja e vlefshme për nivelin e 7-të të kampionatit belg të futbollit u ndërpre, ndërsa i gjithë episodi i kobshëm ndodhi para syve të prindërve të Arne Espeelit, që ishin në shkallët e fushës ku po zhvillohej ndeshja, si dhe të vëllait, që ishte në stolin e rezervave.