RTSH Sport Live

Bellingham i thotë lamtumirë Dortmundit dhe shkon te Reali për 100 milionë

  • 26/05/2023
  • |
  • Futboll Bota
Bellingham i thotë lamtumirë Dortmundit dhe shkon te Reali për 100 milionë
Sipas Marca, njoftimi për transferimin e mesfushorit anglez duhet të vijë pas ditës së fundit të Bundesligës: detajet e marrëveshjes

Mund të jenë orët e fundit të Jude Bellingham si lojtar i Borussia Dortmund. Mesfushori anglez i lindur në vitin 2003, te verdhezinjtë konsiderohet shumë pranë një transferimi te Real Madrid. E ndërkohë, në horizont është ndeshja e fundit vendimtare e kampionatit për Dortmundin, e cila mund të dhurojë Bundesligën.

Siç raportohet nga faqja e gazetës spanjolle “Marca”, njoftimi i Bellingham për Real Madridin mund të arrijë që nesër, pas ditës së fundit të Bundesligës në të cilën Borussia Dortmund do të thirret të ruajë epërsinë e dy pikëve ndaj Bayern nëse duan të bëhen kampion i Gjermanisë.

Drejtuesit e Blancos ishin në Dortmund ditët e fundit për të hedhur në letër në parim një marrëveshje që parashikon një kontratë gjashtëvjeçare për Bellingham. Real Madridi, për të pasur xhevahirin anglez, do të paguajë 100 milionë euro plus bonuse të lidhura me rezultatet dhe paraqitjet.

Në fund, pra, vullneti i fortë i lojtarit për t'u transferuar te Reali duhet të fitojë, pavarësisht ofertave të tjera ekonomikisht më të favorshme në tavolinë.