Futbollisti i Kombëtares kuqezi, Berat Gjimshiti, ka rezultuar vendimtar për skuadrën e tij, teksa ka realizuar dy gola në fitoren me përmbysje që skuadra e tij italiane, Atalanta, arriti të enjten në fushën e vet përballë Olimpiakosit në takimin e parë të vlefshëm për turin e 16-shes së Ligës së Evropës. Ndonëse skuadra greke e ka mbyllur pjesën e parë në epërsi, mbrojtësi shqiptar ka realizuar dy herë brenda po aq minutash, në të 61-tën dhe në të 63-tën, duke vulosur fitoren e skuadrës së tij në shifrat 2-1.
Ndërkaq, një tjetër futbollist shqiptar, portieri Tomas Strakosha, ishte titullar në humbjen 1-2 të Lacios në Portugali përballë Portos, në një takim ku futbollisti tjetër kuqezi, Elseid Hysaj, u aktivizua në 18 minutat e fundit të kohës së rregullt.
Në sfidat e tjera, Leipzig nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2-2 përballë Real Sociedad. Spanjollët kaluan të parët në avantazh me anë të Normand 9’, por gjermanët u përgjigjën pas gjysmë ore lojë me Nkunku 31’. Në pjesën e dytë Oyarzaba 64’ me penallti solli edhe njëherë avantazhin e Sociedad. Gjithsesi, Leipzig arriti të barazojë po me penallti me anë të Forsberg 82’, 2-2.
Skuadrës tjetër spanjolle, Sevillas i mjaftoi pjesa e parë për të mundur Dinamo Zagreb me rezultatin 3-1. Rakitic 13’ me penallti, Ocampos 44’ dhe Martial 45+1 ishin autorët e golave për vendasit. Goli i vetëm për kroatët u shënuar nga Orsic 41’.